Nga Sektori për arsim i Komunës thonë se deri në fund të vitit pritet të merren lejet për ndërtimin e sallave, ndërsa thonë se fillimisht do të ndërtohen tri salla e që do të financohen nga Ministria e Arsimit
Urim HASIPI
Tetovë, 13 nëntor – Vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i sallave të para sportive, nga gjashtë sa janë paraparë të ndërtohen në shkollat fillore në Tetovë. Këto salla sportive do të ndërtohen nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sallat sportive do të ndërtohen në shkollën fillore në “Istikball’, “Naim Frashëri”, “Kirili dhe Metodi”, “Liria”, “Migjeni” dhe në shkollën fillore “Skënderbeu” në fshatin Xhepçisht. Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se me Ministrinë e Arsimit janë dakorduar që fillimisht të ndërtohen tre salla sportive.
“Pjesa se cila sallë do të jetë e para, e dyta apo e treta, do të jetë në vijim e sipër gjatë vitit 2025 dhe kjo do të koordinohet me Ministrinë e Arsimit. Ja vlen të theksohet se këto salla janë pjesë e projektit të Ministrisë së Arsimit, e cila është e angazhuar të ndërtojë sallat në shkolla. Është një projekt që është dashur të realizohet shumë moti, mirëpo Qeveria paraprake këtë projekt e ka pasur në sirtarë, ndërsa me ardhjen e Qeverisë së re, ky projekt doli në pah. Besoj se për një periudhë shumë të shkurtër, shkollat fillore në Komunën e Tetovës do t’i kenë kushtet e nevojshme për ti zhvilluar aktivitetet sportive. Me ndërtimin e sallave, ne si komunë e Tetovës kemi paraparë në buxhetin tonë për vitin 2025 edhe ndërtimin e dy pishinave – një në shkollën fillore ‘Kirili dhe Metodi’ dhe një në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’. Në ato shkolla ku ka vend, sallat do të jenë me tribunë, ndërsa në ato shkolla ku nuk ka hapësirë sallat do të jenë pa tribunë”, deklaroi Valedin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Nga sektori për arsim thonë se deri në fund të vitit pritet që të merren lejet për ndërtimin e sallave.
“E vetmja punë që jemi në procedurë dhe besoj deri në fundvit do të mbarojë – është edhe marrja e lejes nga Komuna e Tetovës për ndërtimin e sallave sportive. Ekipi i Sektorit për arsim njëjtë me Sektorin e urbanizmit dhe përfaqësues të sektorit për Zhvillimin Ekonomik Lokal, kanë dalë në terren ku është konstatuar se dy ose tri shkolla nuk i plotësojnë kushtet për salla me tribunë. Presim që në pranverë të fillojë ndërtimi i sallës së parë”, tha Ademi. Ndryshe, mbi 8000 nxënës të shkollave fillore në Komunën e Tetovës, orën e edukatës fizike e zhvillojnë në kushte të papërshtatshme. Sidomos, kjo vërehet gjatë stinës së dimrit – kur ora e edukatës fizike ose mbahet në klasë ose në sallat e vjetra të ndërtuara para gjysmë shekulli. (koha.mk)