Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet sot do të mbajë debat mbikëqyrës për arsyet e vendosjes së administratës së “ALTA bankës” SHA Manastir, roli dhe veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësia institucionale”.
Në debatin mbykëqyrës, siç kumton shërbimi për shtyp qeveritar, janë ftuar përfaqësues të autorizuar të Qeverisë dhe të organeve të administratës shtetërore, si dhe persona të tjerë të cilët do të japin informacione për çështjen që është lëndë e debatit.
Në seancën mbikëqyrëse duhet të marrë në konsideratë rrethanat që çuan në vendosjen e administrimit në bankë, rolin e Bankës Popullore në procedurë, si dhe përgjegjësinë e institucioneve kompetente.
Në “ALTA Bankë” SHA Manastir prej më 1 nëntor është vendosur administrimi i përkohshëm, pas ngjarjeve me aksionarin e saj dominues – “ALTA Bankë” SHA Beograd, të cilës iu marrë leja e punës nga autoriteti kompetent mbikëqyrës në Serbi, ndërsa njëkohësisht u miratua një vendim për përmbushjen e kushteve për fillimin e procedurës së falimentimit.
Qëllimi i administratës së përkohshme në bankën e Manastirit, siç shpjegohet nga Banka Popullore, është që ajo të vazhdojë të funksionojë, ndërsa mjetet dhe interesat e depozituesve dhe kreditorëve të tjerë të mbrohen derisa të zgjidhet gjendja e pronësisë.
Administrata në “ALTA Bankë” SHA Manastir është planifikuar të zgjasë tre muaj, ndërsa si administratorë u emëruan Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska, punonjëse të Bankës Popullore. Ata morën përsipër përgjegjësitë e Bordit Mbikëqyrës dhe të Bordit Drejtues, si dhe të Kuvendit të aksionarëve, përveç vendimmarrjes për rritjen e kapitalit të bankës.
Administratorët kanë një afat prej 21 ditësh për të përcaktuar situatën e përgjithshme në bankë dhe për të paraqitur një raport para Bordit ekzekutiv të Bankës Popullore.
Ndërkohë, Banka Popullore informon se vazhdon të lehtësojë gradualisht kushtet për disponimin e mjeteve dhe përdorimin e shërbimeve bankare për klientët e “ALTA Bankës” SHA Manastir. Në kuadër të aktiviteteve për të siguruar qasje më të lehtë në mjete dhe ekzekutim të qetë të detyrimeve të përditshme financiare, klientët e Bankës mund të përdorin shërbimet e bankës elektronike dhe mobile që nga dje, në pëputhje të limitit prej 15.000 denarë në javë për klientët të cilët posedojnë karta pagese dhe deri në 20.000 denarë (për dy javë) për ata që nuk i posedojnë.
Duke filluar nga sot, do të fillojë me punë edhe një ekspoziturë e “ALTA Bankës” SHA Manastir në Shkup, më konkretisht ekspozitura në Qendrën Tregtare “Biser”, në adresën bulevard “Jane Sandanski” 1/1.
Vazhdojnë të punojnë dhe ekspoziturat në Manastir, Strumicë dhe Tetovë, ku klientët mund të përdorin shërbimet të cilat u munësonin deri më tani, gjegjësisht tërheqjen e parave të gatshme në sportel brenda limiteve të përcaktuara, si dhe pagesa për faturat e shërbimeve, shlyerjen e kredive dhe nevoja të tjera.








