Në fshatin Hotël është përuruar një lagje e re, e cila do të mbajë emrin “Komandant Teli”. Në ceremoni morën pjesë banorë të fshatit, familjarë të dëshmorëve dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Pas ngjarjes ka reaguar deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Rijad Shaqiri, i cili e cilësoi emërtimin e lagjes si një nderim për kontributin dhe sakrificën e Komandant Telit.
Në një postim në Facebook, Shaqiri tha se emri i Komandant Telit do të shërbejë si kujtesë për brezat e ardhshëm për sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë.
Në fund të reagimit të tij, deputeti shprehu homazhe për dëshmorët, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi e përjetshme Komandant Telit!”.






