Autoritetet greke kanë zbuluar një skemë të madhe mashtrimi tatimor, me vlerë mbi 40 milionë euro, e cila dyshohet se është realizuar përmes një rrjeti prej 152 kompanish fiktive.
Hetimi i zhvilluar nga Autoriteti Grek për Parandalimin e Pastrimit të Parave ka treguar se grupi dyshohet se kishte përfituar drejtpërdrejt të paktën 16 milionë euro përmes rimbursimeve të paligjshme të TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin. Pjesa tjetër e shumës, sipas autoriteteve, është bllokuar para se të kryhej pagesa.
Rasti përfshin 46 persona, llogaritë bankare dhe pasuritë e paluajtshme të të cilëve tashmë janë ngrirë.
Hetimi, i drejtuar nga kryetari i Autoritetit për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ish-zëvendësprokurori Haralambos Vourliotis, ka dokumentuar një skemë për përfitimin e paligjshëm të fondeve publike.
Sipas hetimeve, grupi kishte regjistruar 152 kompani pa aktivitet real ekonomik, duke përdorur persona të cenueshëm ose drejtues fiktivë si mbulesë. Përmes këtyre kompanive dyshohet se janë lëshuar mijëra fatura të rreme për mallra dhe shërbime që nuk ekzistonin.
Përmes transaksioneve fiktive, grupi synonte të deklaronte shuma të mëdha të tatimeve të paguara më tepër dhe më pas të kërkonte rimbursimin e tyre nga shteti. Shuma totale e kërkuar për rimbursim kalon 40 milionë euro, ndërsa rreth 16 milionë euro dyshohet se kishin përfunduar tashmë në llogaritë e personave të përfshirë.
Pas përfundimit të hetimit financiar, Vourliotis urdhëroi ngrirjen e pasurisë së 46 personave të dyshuar. Masa përfshin llogari bankare, kasaforta, prona të paluajtshme dhe automjete luksoze që dyshohet se janë blerë me paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme.
Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se 16 milionë eurot dyshohet se janë transferuar përmes disa llogarive ndërmjetëse, me qëllim fshehjen e gjurmëve të parave. Më pas, fondet dyshohet se janë përdorur për blerje pronash dhe financimin e bizneseve të tjera.
Dosja e hetimit i është përcjellë prokurorisë kompetente, e cila pritet të ndërmarrë procedurat përkatëse për veprat e dyshuara penale, përfshirë krijimin e organizatës kriminale, mashtrimin dhe pastrimin e parave.






