Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të janë mbledhur në seancën konstituive të Kuvendit. U formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe u bë betimi i deputetëve. Për kësaj kryetari i Vetëvendosje Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për siç ka thënë diskutimet për presidentin dhe kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë seancën. Ai ka thënë se për vazhdimin e saj do të njoftojnë me kohë. Kuvendi ka kohë për konstituim deri nesër.
Miftaraj: Vendi nuk shkon në zgjedhje edhe nëse nuk konstituohet Kuvendi
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, mosrealizimi i kësaj “nuk prodhon automatikisht pasoja juridike””.
Kjo do të thotë se jo domosdoshmërisht duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Sipas tij, kjo situatë “delegjitimon gjithçka”, ndërsa nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 tetor, vendi shkon në zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik 2026. Rrjedhja e afateve nisi më 9 korrik. Që do të thotë se Kuvendi ka kohë deri nesër në mesnatë për t’u konstituar.
Zemaj: Brenda ditës mund të ketë lëvizje pozitive
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka lënë të hapur mundësinë që gjatë të enjtes mund të ketë përparim në bisedimet për presidentin me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive, por mbetet të shohim ka ose nuk ka”, ka thënë ai para mediave.
Zemaj ka thënë se LDK-ja nuk ka qenë “as e njoftuar” për kërkesën e kryetarit të LVV-së për shtyrje të seancës konstituive, ndërkohë që e ka kritikuar Albin Kurtin.
“Ishte i pritshëm propzoimi i emrit sepse nuk ka debat në seancën konstituive, por ky është Albin Kurti, ai di edhe të debatoj, edhe të hapë fushatë elektorale, edhe të kërkojë kohë shtesë duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe mbi vullnetin politik”, u shpreh ai.
Ai ka theksuar se çdo shtyrje e afatit kushtetues ”na futë në krizë kushtetuese”.
Tahiri – Kurtit: A i pate more burrë 30 ditë kohë për diskutime?
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës e ka quajtur taktikë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të fituar kohë që të marrë të tri institucionet kyçe të vendit.
Tahiri ka thënë se s’ka kuptim të kërkohet kohë kur 30 ditë i ka pasur Kurti për diskutime me partitë politike për ndonjë marrëveshje të mundshme për çështjen e presidentit. Tahiri ka ngritur edhe dyshimet nëse Kurti dëshiron të krijojë ndonjë rast për Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të shtyhet edhe më tej konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
“Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ka kaluar afati kushtetues sepse sot janë bërë 30 ditë dhe sot kur është dashur që Kuvendi të jetë funksional, sot del kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe iu thotë qytetarëve na duhet kohë. Po a patët morë burrë kohë 30 ditë për diskutim me partitë politike për një marrëveshje politike. Nëse ka qenë qëllimi që të dalë nga ky rreth vicioz dy-vjeçar pse nuk ka folur me partitë politike për presidentin e Kosovës sepse nyja është te presidenti por e ka neglizhuar deri në këtë ditë. A po dëshiron Kurti që ta krijojë edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese që ende të shtyhet konstitutimi. Kjo është taktikë që të marrë ndonjë pazar politik, të fitojë kohë e t’i marrë të gjitha institucionet që në fakt nuk i takojnë një subjekti politik”, ka thënë Tahiri.
Hamza: LVV-ja po vazhdon sjelljet e papërgjegjshme, po abuzon me pozitën e kryesuesit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për presidentin duke e shtyrë seancën konstituive.
Hamza ka thënë se LVV-ja po tregon mungesë serioziteti.
“Siç e vërejtët kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme në raport me institucionet. Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin, dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, ka thënë Hamza.
I pyetur për një takim me Kurtin, Hamza ka theksuar se “s’kemi nevojë të takohemi” duke shtuar se ka pasur mungesë të “një oferte të përgjegjshme”.
Ndërpritet seanca konstituive, Kurti kërkon kohë shtesë për diskutime për president
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.
Në fjalën e tij, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme të zhvillojë bisedime edhe me PDK-në dhe Aleancën, pavarësisht refuzimit të deritanishëm të këtyre partive. Pas takimit të parë, Hamza i PDK-së ka thënë se më nuk kanë për çka të takohen për shkak se kanë vendosur të jenë në opozitë. E bisedimet me LDK-në është paralajmëruar se do të vazhdojnë.
“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend.
Ai shtoi se konstituimi nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke kërkuar kohë shtesë për diskutimet për çështjen e presidentit.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.






