NATO është e gatshme t’i përgjigjet çdo përshkallëzimi të mundshëm rus në krahun lindor të Aleancës, deklaroi admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Deklarata u bë pas takimit të komandantëve më të lartë ushtarakë të 32 vendeve anëtare të Aleancës, i cili u mbajt në Kopenhagë.
“Alianca është e gatshme, struktura është e gatshme, ushtarët dhe armët janë të gatshme”, u tha Cavo Dragone gazetarëve.
Ai theksoi se NATO po vazhdon të rrisë kapacitetet e saj si në aspektin e numrit të forcave, ashtu edhe në atë teknologjik. Sipas tij, janë përgatitur plane të detajuara ushtarake për skenarë të ndryshëm, nga incidente të kufizuara të sigurisë deri te një sulm i drejtpërdrejtë.
Komiteti Ushtarak i NATO-s, si organi më i lartë ushtarak i Aleancës, diskutoi në Kopenhagë për forcimin e mbrojtjes kolektive, zhvillimin teknologjik dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.






