Me fokus në aftësitë digjitale dhe të inteligjencës artificiale (AI), sot filloi Akademia për të rinj “Youth Empowered” e Pivarës Shkup – një platformë edukative falas e dedikuar për avancimin e njohurive dhe aftësive të të rinjve, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në tregun e punës dhe pjesëmarrjen aktive në komunitet.
Fillimi i Akademisë u shënua me një panel-diskutim në Fakultetin Ekonomik në Shkup, ku morën pjesë: ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Mijalçe Santa, si dhe drejtori i përgjithshëm i Pivarës Shkup, Ognjen Laziq.
“Gjithmonë them se, ashtu si te një shtëpi, themeli është më i rëndësishmi – po ashtu edhe çdo karrierë e suksesshme ndërtohet mbi njohuri dhe aftësi të duhura. Me Akademinë ‘Youth Empowered’ të Pivarës Shkup, të rinjve u ofrojmë mjete praktike, aftësi relevante dhe liri për të eksploruar dhe zbatuar njohuritë e reja. Pivara Shkup investon në programe të tilla sepse besojmë se kompanitë e suksesshme kanë përgjegjësi të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit ku operojnë. Programi ‘Youth Empowered’ është mënyra jonë për të mbështetur gjeneratat e reja që të mësojnë, të provojnë dhe të kenë sukses në të ardhmen”, deklaroi Ognjen Laziq. Ai u bëri thirrje të rinjve: “Programi ‘Youth Empowered’ ju jep mundësinë të lidhni teorinë nga fakulteti me botën reale të biznesit. Shfrytëzojeni këtë përvojë maksimalisht, bëni pyetje, eksploroni dhe jini kuriozë, sepse kurioziteti është investimi më i mirë në karrierën tuaj.”
Ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, para studentëve prezantoi angazhimin për transformim digjital me qëllim që të rinjve t’u mundësohet qasje në teknologji moderne. “Si Qeveri, të gjithë studentëve në studimet universitare u kemi mundësuar kupon për pajisje IT në vlerë prej 15.300 denarësh. Me mbi 90 milionë denarë kemi mbështetur UKIM përmes FINKI si bartës i projektit ‘Vezilka’, qendra për inteligjencë artificiale në gjuhën maqedonase, e cila është në fazën përfundimtare. Gjithashtu kemi digjitalizuar paketën e shërbimeve të Entit Shtetëror të Statistikave, me çka studentët do të mund t’i plotësojnë dokumentet në mënyrë elektronike, të cilat më parë plotësoheshin në formë letre”, theksoi Andonovski.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Mijalçe Santa, sheh potencial të madh në bashkëpunimin mes universiteteve dhe biznesit. “Arsimi i lartë dhe sektori privat plotësojnë njëri-tjetrin. Përmes bashkëpunimeve dhe partneriteteve të tilla mund të krijohen zgjidhje të përbashkëta dhe mundësi për edukim më të thellë dhe përvoja praktike, të cilat do t’u mundësojnë studentëve të krijojnë vlerë jo vetëm gjatë punësimit, por edhe brenda vetë bizneseve”, tha dekani Santa. Ai gjithashtu drejtoi modulin e parë të Akademisë, të dedikuar për inteligjencën artificiale, ku u ndal te përdorimi praktik i mjeteve të AI në arsim, punë dhe zhvillim karriere.
Akademia për të rinj “Youth Empowered” e Pivarës Shkup përfshin tetë fusha tematike, ndër të cilat: lidershipi, qëndrueshmëria, përgjegjësia shoqërore, edukimi mediatik, aftësitë e buta dhe ato prezantuese. Në kuadër të programit, gjatë vitit 2026 do të realizohen 22 trajnime fizike në Shkup dhe në qytete të tjera të vendit. Një risi në këtë Akademi të avancuar është edhe platforma edukative online me 10 module, e cila, përveç trajnimeve falas në terren, ofron qasje shtesë dhe fleksibile në dije. Platforma është e disponueshme përmes faqes zyrtare të Pivarës Shkup.
Gjatë 10 viteve të fundit, përmes këtij programi të Pivarës Shkup, mbi 12.000 të rinj nga e gjithë vendi kanë fituar aftësi që i kanë ndihmuar në punësim dhe në krijimin e bizneseve të tyre.




