Hulumtimi i EOS Matriх tregon rritje prej rreth 50% të borxhit mesatar, ndërsa mikrofinancat po bëhen gjithnjë e më të pranishme, veçanërisht te të rinjtë.
Borxhet e qytetarëve po rriten, ndërsa vështirësitë financiare dhe rrethanat e papritura të jetës po e bëjnë më të vështirë shlyerjen e detyrimeve. Sipas një hulumtimi të kompanisë EOS Matriх, borxhi mesatar i një klienti të saj arrin në 3.811 euro, rreth 50% më shumë krahasuar me periudhën e analizuar më parë.
Të dhënat tregojnë se një debitor mesatar ka 1,6 detyrime financiare. Rreth 58% e klientëve kanë vetëm një borxh, por ka edhe persona që kanë deri në nëntë apo dhjetë detyrime të krijuara përmes produkteve të ndryshme financiare.
Profili mesatar i debitorit është një burrë 48-vjeçar, ndërsa grupmosha nga 41 deri në 55 vjeç dominon për nga numri i detyrimeve financiare. Sipas ndarjes gjinore, burrat përbëjnë rreth dy të tretat e klientëve, ndërsa gratë tregojnë efikasitet më të madh në shlyerjen me kohë të detyrimeve.
Të rinjtë dhe mikrofinancat
Hulumtimi vëren rritje prej 25% të numrit të klientëve që kanë produkte mikrofinanciare, krahasuar me periudhën e mëparshme të analizuar. Kreditë janë më të zakonshme te grupmoshat më të vjetra, ndërsa kartelat e kreditit dhe produktet mikrofinanciare dominojnë te të rinjtë.
Personat deri në moshën 25-vjeçare zakonisht fillojnë më vonë shlyerjen e borxheve, por i shlyejnë ato më shpejt pasi të punësohen. Papunësia është ndër arsyet kryesore që ua vështirëson përmbushjen e detyrimeve. Ndërkaq, qytetarët më të moshuar priren t’i shlyejnë borxhet gradualisht dhe për periudha më të gjata.
Sipas kompanisë, arsyet më të shpeshta të mospagesës janë paqëndrueshmëria financiare, pagat e vonuara, humbja e vendit të punës dhe mbingarkesa me borxhe.
Gati 30% i shlyejnë borxhet plotësisht
Pavarësisht vështirësive, të dhënat e EOS Matriх tregojnë se gati 30% e kërkesave për pagesë të marra nga kompania mbyllen me shlyerjen e plotë të borxhit. Shuma mesatare e pagesës arrin rreth 1.200 euro, ndërsa 48% e klientëve kanë kryer të paktën një pagesë, të pjesshme ose të plotë.
Pjesa më e madhe e klientëve kanë borxhe nën 2.000 euro. Sipas kompanisë, shumat më të ulëta lidhen me mundësi më të mëdha për shlyerje më të shpejtë.
Hulumtimi përfshin persona nga mosha 18 deri në 89 vjeç, ndërsa numri më i madh i klientëve është i përqendruar në Shkup, pasuar nga Gostivari dhe Tetova.
Komunikimi financiar po kalon në kanale digjitale
Një tjetër ndryshim i evidentuar është rritja e përdorimit të platformave digjitale për komunikim dhe pagesa. Gjatë dy viteve të fundit, sipas kompanisë, është rritur numri i klientëve që përdorin platformën MyEOS, duke kaluar gradualisht nga komunikimi tradicional përmes telefonit në kanale si posta elektronike dhe aplikacionet e mesazheve.
Ndërkohë, një studim i EOS Group për inteligjencën artificiale në sektorin bankar tregon se 46% e konsumatorëve evropianë të anketuar raportojnë komunikim më të mirë me bankat falë inteligjencës artificiale. Po ashtu, 29% do të preferonin të diskutonin me inteligjencën artificiale për çështje të ndjeshme financiare, ndërsa 61% dëshirojnë paralajmërime proaktive për rrezikun e tejkalimit të mjeteve në llogari.
Drejtoresha ekzekutive e EOS Matriх për Maqedoninë dhe Kosovën, Katerina Boshevska, thotë se rritja e borxheve dhe kompleksiteti i detyrimeve e bëjnë gjithnjë e më të nevojshme mbështetjen profesionale dhe zgjidhjet e përshtatura për secilin klient. Sipas saj, kompania menaxhon një portofol prej rreth 150.000 lëndësh që përfshijnë kërkesa ndaj personave fizikë dhe juridikë.








