Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, konfirmoi sot se partnerët e koalicionit po mbajnë komunikim të vazhdueshëm rreth të ardhmes së koalicionit. Ai nuk zbuloi detaje të mëtejshme, duke theksuar se marrëveshjet duhet të arrihen paraprakisht midis tyre. I pyetur se çfarë pret nga takimi i sonte i partnerëve të koalicionit dhe nëse VMRO-DPMNE do të “lirojë hapësirë” për një emër tjetër të ri që të ulet në Qeveri, Mucunski theksoi se negociatat nuk duhet të bëhen përmes mediave.
“Nuk besoj se duhet t’i bëjmë negociatat ose vendosjen e kushteve përmes mediave. Këto janë çështje për të cilat duhet të biem dakord paraprakisht midis nesh dhe pastaj t’i publikojmë. Kështu ndërtohet besimi”, tha Mucunski.
Duke marrë parasysh funksionimin e koalicionit gjatë një viti e gjysmë të kaluar, ai tha se në përgjithësi kanë bashkëpunuar mjaft me sukses me të gjitha sfidat dhe kanë pasur kapacitetin e përbashkët për t’i kapërcyer ato.
Mucunski beson se në ditët në vijim do të arrihet marrëveshje që do të synojë rritjen e efikasitetit të Qeverisë.
Sipas Mucunskit, çështja nuk është numri i vendeve që do të marrin partnerët e koalicionit, por cilësia e individëve.
“Një gjë që dua ta përsëris është se nuk ka të bëjë me numrin e vendeve të partnerëve të koalicionit, por me kapacitetin e individëve, njohuritë e tyre, përvojën e tyre dhe mënyrën se si do të kontribuojnë në institucionet që dëshirojnë të udhëheqin”, tha Mucunski.
Ai thotë se prioriteti i të gjithë partnerëve të koalicionit duhet të jetë “të përqendrohen më pak në sasi dhe më shumë në cilësi”.
Dje, zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, tha se të gjithë në koalicionin VLEN pajtohen dhe ndajnë mendimin se pas zgjedhjes së Izet Mexhitit si kryetar i Komunës së Çairit, Bekim Sali duhet të zërë vendin e tij në Qeveri. Ai shtoi se kryeministri duhet t’iu japë dy resorë, pasi Mexhiti ka mbajtur dy poste.
Lidhur me riorganizimin e paralajmëruar të qeverisë, kryeministri Hristijan Mickoski tha javën e kaluar se partia është e përqendruar në kongresin e partisë që do të mbahet më 6 dhjetor, por se paralelisht, do të shqyrtojë ndryshime të caktuara të personelit në qeveri, nëse është e nevojshme.
Mickoski njoftoi nuk planifikon ministri të re për VLEN-in, por ai gjithashtu la hapësirë që kjo temë të diskutohet në takimin midis partnerëve të koalicionit.
Lidhur me informacionin se pas largimit të Mexhitit si kryetar i komunës së Çairit, partneri i koalicionit VLEN propozoi Bekim Salin si zëvendëskryeministër të parë dhe se një person tjetër do të emërohej si ministër i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Mickoski disa ditë më parë tha se ky ishte vendim i partnerit të koalicionit dhe se kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë hapësirë në kabinetin qeveritar.
“Mirë, kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë resore. Ky është vendim i partnerit tonë të koalicionit. Kam mendim të lartë për Bekim Salin. Absolutisht, nuk duhet të kemi asnjë dilemë këtu. Por kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë hapësirë në kabinetin qeveritar”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në komunën e Petrovecit.
Bekim Sali prej disa muajsh përmendet si emër i mundshëm për të zëvendësuar Mexhitin në postin e zëvendës kryeministrit të parë.
Mexhiti, i cili ishte zëvendëskryeministër i parë, fitoi në rrethin e parë për kryetar të komunës së Çairit më 4 nëntor edhe zyrtarisht mori përsipër postin.(portalb.mk)





