Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, njëherit edhe Ministër i Punëve të Jashtme ka njoftuar se delegacion i partisë në pushtet, i kryesuar nga kryetari Hristijan Mickoski, do të zhvillojnë një sërë takimesh në suaza të Kongresit të Partisë Popullore Europiane që mbahet në Valencia të Spanjës.
“Si pjesë e delegacionit të udhëhequr nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, prej dy ditësh jemi në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane në Valencia. Partia Popullore Evropiane është aktualisht familja politike më e fuqishme dhe më me ndikim në Evropë. Kryetari Mickoski do të ketë një fjalim para seancës plenare, por kemi parashikuar edhe shumë takime. Do të takohemi me kancelarin e ri të Austrisë, z. Stocker, me liderin e opozitës shqiptare Berisha, me liderin e SNS-së Vuçeviq, me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian McAllister. Po punojmë për afirmimin e pozicioneve tona kombëtare që lidhen kryesisht me integrimin evropian. Nevoja për integrim të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor në BE është imperative si për rajonin ashtu edhe për BE-në. Interesat tona kombëtare të Maqedonisë do të mbrohen, pozicionet tona do të prezantohen dhe sigurisht që do të jemi pjesë e barabartë në tubimin e familjes politike më të fuqishme në Evropë”, ka shkruar Mucunski.