Qeveria ka miratuar listën e parë përfundimtare prioritare të propozim-projekteve për investime publike, e cila përmban gjithsej 41 projekte. Lista është përgatitur me propozim të Ministrisë së Financave dhe Komitetit të Investimeve Publike.
Projektet e përfshira në listë janë propozuar dhe kontrolluar fillimisht nga institucionet që i kanë parashtruar, ndërsa më pas janë vlerësuar nga Ministria e Financave dhe janë miratuar nga Komiteti i Investimeve Publike.
Procesi është zhvilluar pas miratimit të Rregullores për menaxhimin e investimeve publike, përmes së cilës Ministria e Financave nisi mbledhjen dhe vlerësimin e ideve për projekte me vlerë të mesme dhe të madhe, përkatësisht mbi 5 milionë euro.
Në kuadër të procesit është shqyrtuar dokumentacioni, cilësia e të dhënave, rëndësia strategjike dhe gatishmëria e projekteve për zhvillim të mëtejshëm. Në bazë të këtyre vlerësimeve është përgatitur lista prioritare, së bashku me vlerësimin e aspekteve financiare, qëndrueshmërisë dhe fizibilitetit të projekteve.
Projektet e përfshira mbulojnë fusha të ndryshme, përfshirë infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, energjetikën, digjitalizimin, bujqësinë dhe menaxhimin e ujërave.
Sipas Ministrisë së Financave, lista e miratuar do të shërbejë si bazë për përcaktimin e investimeve të reja kapitale gjatë procesit buxhetor për vitin 2027, si dhe për programet investuese të ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare në pronësi shtetërore.
Megjithatë, përfshirja e një projekti në listën prioritare nuk nënkupton automatikisht se ai do të financohet apo se është marrë vendim përfundimtar për realizimin e tij.
Vendimi për financimin e projekteve do të merret në fazat e ardhshme, përmes procesit të buxhetimit kapital dhe në varësi të mjeteve buxhetore në dispozicion, nivelit të përgatitjes së projektit dhe prioriteteve të Qeverisë për vitin përkatës fiskal.
Miratimi i Rregullores dhe listës prioritare është pjesë e procesit të reformimit të menaxhimit të investimeve publike dhe është në përputhje me Agjendën Reformuese 2024–2027.
Komiteti i Investimeve Publike u formua vitin e kaluar, ndërsa mbledhja e parë u mbajt në prill të këtij viti. Me këtë proces synohet një qasje më sistematike në planifikimin dhe menaxhimin e projekteve kapitale me vlerë mbi 5 milionë euro, si dhe planifikim më të strukturuar të mjeteve buxhetore për vitet e ardhshme.
Lista e parë përfundimtare prioritare e propozim projekteve për investime publike është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave në linkun e mëposhtëm: https://portal.mdt.gov.mk/post-body-files/upravuvanje-so-javni-investiciii-file-Zznn.pdf
https://portal.mdt.gov.mk/post-body-files/upravuvanje-so-javni-investiciii-file-Zznn.pdf përcjell Zhurnal.mk .






