Mickoski: VMRO-DPMNE, demokracia dhe Maqedonia e pavarur janë bashkudhëtarë ndër vite

Advertisement

Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se demokracia, pavarësia e vendit dhe VMRO-DPMNE-ja janë vlera që kanë qenë të lidhura ndër vite.

Duke folur në panelin “Më shumë pjesëmarrje – Më shumë demokraci”, të organizuar nga Unioni i Grave të VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se partia që ai drejton është angazhuar për një Maqedoni të pavarur, demokratike dhe sovrane që para pavarësisë së vendit.

“Demokracia, VMRO-DPMNE-ja dhe Maqedonia e pavarur janë si bashkudhëtarë ndër vite”, deklaroi Mickoski, duke theksuar se këto vlera janë zhvilluar së bashku gjatë historisë së vendit.

Ai u shpreh se 35 vite pavarësi janë periudhë e mjaftueshme për të bërë një retrospektivë mbi zhvillimin e shtetit, duke përmendur periudhat e ndryshme, sukseset dhe vështirësitë që ka kaluar Maqedonia.

Sipas Mickoskit, demokracia nuk është një proces që përfundon, por duhet të përmirësohet dhe të zhvillohet vazhdimisht me çdo gjeneratë të re.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut të hapur me qytetarët dhe brenda vetë partisë, duke thënë se uniteti i VMRO-DPMNE-së ndërtohet përmes proceseve demokratike dhe harmonizimit të qëndrimeve.

Mickoski veçoi edhe rolin e Unionit të Grave në hartimin e politikave partiake, duke shprehur mbështetjen e tij për gratë që marrin pjesë në proceset demokratike brenda partisë dhe në shoqëri.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit