Mickoski: Rritet prodhimi bujqësor, akumulimet nga 8 arritën mbi 70 për qind të kapacitetit të tyre

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se Qeveria ka arritur përparim të rëndësishëm në sektorin bujqësor, duke theksuar se gjendja aktuale është dukshëm më e mirë krahasuar me periudhën e një viti më parë. Si rezultate kyçe ai përmendi rritjen e nivelit të akumulimeve për ujitje, pagesën e rregullt të subvencioneve, stabilizimin e ndërmarrjeve publike dhe rritjen e prodhimit e çmimeve të grumbullimit të duhanit dhe rrushit, njofton MIA.

Gjatë vizitës në Komunën e Ilindenit, Mickoski kujtoi se në gusht të vitit të kaluar akumulimet për ujitje kanë qenë të mbushura vetëm 8%, ndërsa sot niveli i tyre tejkalon 70%.

„Me menaxhim të kujdesshëm dhe me mënyrën se si funksionon kjo Qeveri, kapaciteti i akumulimeve është rritur pothuajse dhjetëfish. Kur bëhen krahasime, duhet parë si ka qenë më herët dhe si është gjendja sot, e jo të flitet mbi bazë ndjenjash“, tha Mickoski.

Ai rikujtoi se në momentin e marrjes së pushtetit, punonjësit e ujësjellësit dhe të Ndërmarrjes Pyjore Kombëtare kishin tre paga të pashlyera, ndërsa pagesa e subvencioneve bujqësore vonohej për gati dy programe vjetore.

Sipas tij, gjendja sot është e stabilizuar dhe është zhbllokuar edhe kredia prej 80 milionë eurosh nga Banka KfW, e cila do të përdoret për realizimin e tre projekteve të reja për ujitje.

„Me projektin Straishtë tashmë po fillojmë përgatitjen e procedurës së tenderimit. Bëhet fjalë për një projekt për të cilin qytetarët kanë paguar interes për shtatë vjet, pa asnjë realizim. Tani më në fund po e vëmë në funksion“, tha Mickoski.

Kryeministri theksoi se rezultate pozitive po shënohen edhe në prodhimin e duhanit dhe të rrushit.

„Grumbullimi i duhanit është rritur nga rreth 16 milionë në 26 milionë kilogramë, ndërsa çmimi i grumbullimit është rritur nga 150–160 denarë në 420–430 denarë për kilogram. Në vreshtari, këtë vit presim rendiment prej rreth 120 milionë kilogramësh, krahasuar me 60–70 milionë më herët. Këto janë tregues konkretë që nuk mund të kontestohen“, tha Mickoski.

Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë me politikat e orientuara drejt modernizimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit