Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë ceremonisë së nisjes së projektit të autostradës drejt Kosovës, e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike mes dy vendeve.
Mickoski tha se pas më shumë se 20 vitesh, projekti po bëhet realitet, duke theksuar se autostrada do të sjellë përfitime për qytetarët dhe ekonomitë e të dyja vendeve.
“Kur ndërtoni një rrugë, kur ndërtoni një park, kur ndërtoni një autostradë, ju ndërtoni të ardhmen. Ne sot fillojmë të ndërtojmë të ardhmen për të rinjtë tanë”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se infrastruktura e re duhet të krijojë më shumë mundësi ekonomike dhe të motivojë të rinjtë që të qëndrojnë në vend, ndërsa ata që janë larguar të kenë arsye për t’u kthyer.
Mickoski paralajmëroi gjithashtu vazhdimin e investimeve në infrastrukturën rrugore, duke përmendur disa segmente të autostradave që, sipas tij, do të ndërtohen paralelisht.
“Do të krijohen kushte që në territorin e shtetit të ndërtohen gjashtë segmente autostradash, diçka që deri më tani nuk ka ndodhur kurrë”, tha ai.
Në fund të fjalimit, Mickoski tha se prioritet i qeverisë do të mbetet ekonomia dhe rimëkëmbja ekonomike e vendit.
“Patriotizmi në shekullin XXI është shumë më tepër se idetë nacional-romantike. Është ekonomi e fortë, standard i mirë, qytetarë të kënaqur me institucionet dhe qeverinë, luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundim i ligjit”, deklaroi Mickoski.






