Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në nisjen e punimeve për autostradën që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, theksoi rëndësinë strategjike të projektit për qytetarët dhe ekonomitë e të dyja vendeve.
Kurti tha se kjo autostradë nuk përfaqëson vetëm një projekt infrastrukturor, por një lidhje që do të afrojë më tej qytetarët, bizneset dhe tregjet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zgjerimin ekonomik të dyja vendeve”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se mes dy vendeve ka qarkullim të madh të qytetarëve, ku familjet, studentët, punëtorët, profesionistët dhe bizneset lëvizin çdo ditë në të dyja anët e kufirit. Sipas tij, vetëm përmes pikës doganore në Hani i Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, ose rreth 150 maune në ditë.
“Kjo autostradë do ta bëjë këtë qarkullim më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas”, deklaroi Kurti, duke shtuar se infrastruktura e re do t’u krijojë bizneseve mundësi më të mëdha për transportin e mallrave, zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e partneriteteve të reja. Kurti e cilësoi projektin si pjesë të lidhjes strategjike të Kosovës me korridoret evropiane, duke theksuar se autostrada është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe lidh Shkupin me Prishtinën, e më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane. Ai përmendi edhe projektet e tjera që synojnë forcimin e lidhjeve mes dy vendeve, përfshirë lidhjen hekurudhore Kosovë–Maqedoni e Veriut dhe projektin Prizren–Tetovë përmes tunelit.
“Këto projekte janë gurë gjigantë të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë”, tha Kurti. Në fund, kryeministri i Kosovës falënderoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë kontribuuesit për nisjen e projektit, ndërsa shprehu mirënjohje të veçantë edhe për koalicionin e partive shqiptare për kontributin në bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Urime fillimi i punimeve të autostradës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë”, përfundoi Kurti.






