Mickoski: Pa arsim nuk ka shtet të fortë, ta ruajmë shkrimin dhe ta ndërtojmë të ardhmen

Të nderuar përfaqësues të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit,

I nderuar peshkop i Heraklesë z. Kliment,

I nderuar kryetar i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve,

Të nderuar miq,

Zonja dhe zotërinj,

Ekzistojnë popuj që historinë e tyre e kujtojnë përmes luftërave. Ekzistojnë civilizime që madhështinë e tyre e masin përmes territoreve të pushtuara, pasurive dhe fuqisë perandorake. Por ekzistojnë edhe popuj që mbijetojnë përmes shkrimit, përmes librit, përmes arsimit dhe përmes spiritualitetit. Dhe popuj që e kanë ndërthurur rrugën e rilindjes shpirtërore dhe kulturore me një mosnënshtrim të ashpër revolucionar.

Popujt e këtillë nuk zhduken lehtë.

Sot, duke shënuar veprën e vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, ne nuk flasim vetëm për dy iluministë të shekullit të 9-të. Flasim për themelin e një ideje qytetëruese – se njeriu është vërtet i lirë vetëm atëherë kur ka të drejtë të mendojë, të mësojë, të krijojë dhe të flasë në gjuhën e tij.

Prandaj këtë ditë të madhe e shënojmë përmes mesazhit “Nga shkrimi në përjetësi”, i cili bart një kuptim të thellë.

Sepse shkrimi nuk është vetëm një shenjë e shkruar. Shkrimi është kujtesë. Shkrimi është identitet. Shkrimi është shtëpia shpirtërore e një populli.

Kur Konstandin Filozofi – Shën Kirili e krijonte gllagolicën, ndërsa së bashku me vëllain e tij Metodin e përhapnin misionin iluminist mes sllavëve, ata nuk krijonin vetëm një alfabet. Ata krijonin mundësinë që kombe të tëra të bëheshin pjesë e barabartë e historisë shpirtërore dhe kulturore të Evropës.

Në një kohë kur dija ishte privilegj vetëm për pak veta, ata dërguan një mesazh që edhe sot mbetet bashkëkohor dhe i fuqishëm – se çdo popull ka të drejtë arsimi, kulture dhe shprehjeje shpirtërore në gjuhën e vet.

Pikërisht për këtë arsye vepra e tyre është më e madhe se një ngjarje historike. Ajo është fitore e dritës mbi errësirën. Fitore e dijes mbi nënshtrimin.

“Një popull që nuk e njeh shkrim-leximin dhe kulturën e vet, bëhet lehtë i huaj në historinë e vet.”

Ky nuk është vetëm një mësim historik. Ky është edhe një paralajmërim bashkëkohor.

Jetojmë në një kohë të avancimit të jashtëzakonshëm teknologjik. Bota po ndryshon me një shpejtësi të paparë. Inteligjenca artificiale, teknologjitë digjitale dhe proceset globale hapin horizonte të reja, por njëkohësisht sjellin edhe rrezikun e sipërfaqësisë, të varfërimit shpirtëror dhe të humbjes së thelbit.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për arsim që nuk do të krijojë vetëm njerëz me diploma, por njerëz me vlera, karakter dhe mendim kritik.

Sepse arsimi i vërtetë nuk është grumbullim informacionesh. Ai është aftësia e njeriut për të dalluar të vërtetën nga manipulimi, dijen nga zhurma, vlerën nga iluzioni.

“Arsimi është arma më e fuqishme me të cilën mund ta ndryshoni botën.”

Shën Kirili dhe Metodi këtë e kishin kuptuar para më shumë se njëmbëdhjetë shekujsh.

Ata e dinin se populli nuk ngrihet vetëm me fuqi politike, por mbi të gjitha me pjekuri shpirtërore dhe me arsimim. Prandaj misioni i tyre nuk ishte mision dominimi, por mision iluminizmi.

Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tyre e përjetshme. Ata nuk i mësonin njerëzit vetëm të lexonin. Ata i mësonin të bëheshin të vetëdijshëm për dinjitetin e tyre. E dinjiteti fillon atëherë kur njeriu mëson të mendojë me kokën e vet, të marrë vendimet e veta dhe të luftojë për bindjet e veta.

Çdo popull i ka revolucionet, kryengritjet dhe betejat e veta, ndërsa populli ynë është pjesë e atij mozaiku të historisë së stuhishme dhe të lavdishme. Revolucioni ynë kulturor, zgjimi ynë drejt botës dhe shprehja jonë fillojnë pikërisht me Shën Kirilin dhe Metodin. Pastaj kjo krijoi një vazhdimësi, të plotësuar nga rojtarët më të mirë të fjalës sonë, të shkrim-leximit dhe madhështisë shpirtërore – nga nxënësit e tyre Naumi, Klimenti, Sava, Gorazdi dhe Angjelarij.

Pema e shkrim-leximit u mboll siç duhet, ndërsa rrënjët ishin tepër të thella.

Dhe përgjigjja në pyetjen se të kujt janë Shën Kirili dhe Metodi duhet kërkuar në faktin real se vepra e tyre i tejkalon kufijtë tanë dhe ata i përkasin botës, ndërsa vepra e tyre është monument i mënyrës se si një popull u ngrit dhe i krijoi vendet e shenjta më të mëdha përmes luftës, dijes dhe shkrimit.

Në të gjitha betejat tona, rojtari më i ndritur i veprave tona ka qenë dhe mbetet Kisha jonë – nëna e të gjitha përpjekjeve dhe betejave tona. Nga Kryepeshkopata e lavdishme e Ohrit deri te Kisha Ortodokse Maqedonase, ajo vazhdimësi na mundëson të themi se kisha është pjesë e identitetit tonë, sepse Maqedonia ka mbijetuar dhe është ruajtur përmes kishave, përmes punës së klerit të saj. Prandaj është shumë e drejtë të konkludojmë se historia shekullore mbështetet mbi themelet që i festojmë sot.

Të dashur miq,

Sado që na e spostojnë vëmendjen temat ditore, është e rëndësishme t’u kthehemi disa prej tyre. Pavarësisht sa politikë dhe interesa të fshehta ka në imponimin e temës së përdorimit të gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, unë jam i gatshëm dhe, në një farë mënyre, më vjen mirë që më në fund po flasim për arsimin, por këto diskutime duhet të vendosen përmes prizmit të duhur.

Jam tej mase i interesuar dhe i gatshëm të ndihmoj në çdo proces që nënkupton arsim më të mirë dhe më të fuqishëm. Mendoj se dera e mundësive, rrugëdalja dhe shpëtimi i çdo individi është arsimi i fortë. Ai na bën më të fortë, ai mund ta ndërtojë të ardhmen tonë.

E vetmja mundësi për sukses është mësimi, përkushtimi dhe hapja e perspektivave të reja. Dhe nuk kam asnjë rezervë që të bisedohet për temat e përdorimit të gjuhëve. Çdo komunitet ta ketë të drejtën të përparojë dhe ta përdorë gjuhën e vet, përderisa kjo është në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe përderisa respektohet shenja jonë identitare – gjuha jonë maqedonase.

Prandaj shumë shpejt do të arrijmë në një zgjidhje që duhet ta mbështesim të gjithë dhe e cila do të ngrihet mbi interesat individuale partiake dhe, ndoshta, politike dhe mbi tendencat për të rënë edhe një herë në një kurth nacionalist, ndërsa historia na mëson se kurthet e këtilla janë metoda më e mirë e atyre që kanë interesa kriminale ose interesa të tjera personale dhe që rregullisht fshihen pas këtyre temave, të cilat janë mbulesë për synimet e tyre të vërteta – të keqpërdoret bashkëjetesa dhe të krijohen pengesa.

Çdo popull ka të drejtën e arsimit dhe tek unë do të keni partner jo vetëm që arsimi të jetë më i fortë dhe më i qasshëm, por edhe të flasim për cilësinë e universiteteve, cilësinë e fakulteteve, sepse një popull nuk fiton nëse ato janë vetëm numër, por fitimi i vërtetë është që ato të jenë cilësore.

Sepse, po e përsëris, arma më e fuqishme kundër varfërisë dhe mundësia më e sigurt për sukses është arsimi. Dhe kjo është një porosi për të gjithë të rinjtë – luftoni. Le të luftojmë së bashku për të ardhmen të cilën e krijojmë ne, e cila nuk është asgjë tjetër përveç hapave që duhet t’i bëjmë sot.

Të nderuar miq,

Dua të ndalem edhe në një temë tjetër të rëndësishme. Ajo është lufta kundër korrupsionit dhe arritja e drejtësisë. E kuptoj pakënaqësinë dhe revoltën tek njerëzit që gjithnjë e më shumë po e humbin durimin sa i përket realizimit të drejtësisë. Duhet të them se as unë nuk jam plotësisht i kënaqur dhe mendoj se mund të bëhet shumë, shumë më mirë dhe me rezultate shumë më të shpejta.

Askush prej jush të mos mendojë se nuk i dëgjoj ato britma të njerëzve që i qeshin drejtësisë, që mendojnë për veten se janë të pathyeshëm dhe se e kanë mashtruar drejtësinë. Sot ata janë kritikët më të zëshëm të Qeverisë dhe mashtrues që kanë ndërruar petkun, të cilët janë më të shqetësuarit se nuk paska drejtësi.

Atyre, dhe asaj pjese të prokurorisë që gjithnjë e më shpesh shpik justifikime, u them se durimi po merr fund dhe se drejtësia do t’i arrijë të gjithë. Pavarësisht çfarë justifikimesh dëgjoj, durimi po merr fund dhe unë po e ndjek me kujdes situatën.

Nuk do të hesht as kur mendoj se po bëhen gabime, as kur mendoj se duhet reaguar më shpejt dhe kur sirtarët e institucioneve mbushen me kallëzime dhe padi për të cilat prokuroria duhet të reagojë më shpejt.

Sepse unë nuk hyra në politikë për të shpikur justifikime, por për të vendosur rend, për të arritur drejtësi dhe sundim të ligjit. Nuk do të heq dorë, do t’u frymojmë në qafë atyre që pasurohen dhe përfitojnë mbi mundin e popullit.

Kjo është mundësia e fundit e këtij brezi për të krijuar diçka të vlefshme që do të mbetet për të gjitha gjeneratat e ardhshme.

Të dashur të pranishëm,

Vendimet tona e përcaktojnë të ardhmen tonë. Nëse qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar, pa marrë parasysh kush është në anën tjetër, do të mbetemi tëfortë, ndërsa barra e ndarë është barrë më e lehtë.

Pikërisht kjo bërthamë është lëkundur dhe goditur në fatin historik të Maqedonisë. Maqedonia po përballet me një bllokadë serioze dhe të padrejtë në integrimet e saj. Dhe mund t’i kuptoj, edhe pse nuk i arsyetoj, qëndrimet e Bullgarisë. Por nuk mund t’i kuptoj, e as t’i arsyetoj, politikanët vendas që veprojnë si emisarë specialë të kryeministrit të shtetit fqinj.

Atë që e thotë ai, e thonë edhe politikanët vendas dhe përfaqësuesit e tyre. Dërrmuese. Kjo na mposht edhe si komb.

Tek një pjesë e njerëzve kemi mungesë të ndjenjës së përkatësisë ndaj popullit të vet dhe gatishmëri për ta mbajtur me krenari atë që unë e quaj – indi i butë i popullit maqedonas. Dhe sa më shumë që ne jemi mburojë ndaj sfidave, aq më agresivë bëhen ata.

Dhe dua të them se nuk ka para, nuk ka pushtet dhe nuk ka arsye për të cilën do ta tradhtoja popullin tim apo do të bëja diçka, çfarëdo qoftë, në dëm të tij.

Shteti duhet të hyjë në Bashkimin Evropian, kjo është e pashmangshme, por duhet të mbetemi dinjitozë. Duhet të luftojmë për atë në të cilën besojmë dhe koncepti i bashkimit duhet të arrihet mbi baza të shëndosha.

Bëra gjithçka për t’ia shtrirë dorën opozitës, që të bashkohemi. Ata e humbën çdo mundësi dhe nuk do të presim vazhdimisht që ata të kenë disponim për të vepruar bashkarisht për interesat kombëtare.

Prandaj bëj thirrje për bashkim popullor dhe intelektual të shtetit. Fakti që disa janë kryetarë të partive politike në opozitë dhe e kanë atë rol, nuk do të thotë se janë edhe liderë të asaj pjese të popullit që ende ua jep votën dhe mbështetjen atyre njerëzve.

Duke refuzuar të bashkohemi për çështjet kombëtare, ata janë të destinuar për dështim. Po bëhen shërbëtorë marginalë të interesave të huaja. Prandaj bashkimi i vërtetë është ai popullor.

Prandaj bëj thirrje të bashkohemi të gjitha qarqet në shoqëri dhe t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit. Kjo është mundësia e fundit për Maqedoninë. Duhet ta shfrytëzojmë.

Do të bisedoj me secilin, do ta motivoj secilin që dëshiron të ndihmojë dhe të përfshihet në procesin e Maqedonisë që përshpejton dhe ecën përpara. Zgjedh të luftoj dhe të punoj për të ardhmen tonë.

Të nderuar,

Në gjuhën maqedonase janë ruajtur shekuj dhimbjeje, shprese, lufte dhe dashurie ndaj atdheut. Në të janë shkruar lutjet e paraardhësve tanë, këngët e revolucionarëve, fjalët e mësuesve dhe ëndrrat e gjeneratave të reja.

Prandaj kujdesi për gjuhën nuk është çështje vetëm e kulturës. Është çështje mbijetese dhe vetërespekti.

Goce Delçev ka thënë:

„Unë e kuptoj botën si një fushë për garë kulturore ndërmjet popujve.“

Sa mendim i thellë dhe bashkëkohor.

Jo fushë për urrejtje. Jo fushë për mohim. Por fushë për kulture, dije dhe dinjite.

Në shekullin XXI, pikërisht kjo do t’i përcaktojë shtetet e fuqishme. Jo vetëm madhësia e ekonomisë së tyre, por cilësia e arsimit, shkencës, kulturës dhe aftësia për të krijuar njerëz që mendojnë.

Prandaj obligimi ynë sot është i madh.

Duhet të ndërtojmë një shoqëri në të cilën mësuesi sërish do të jetë autoritet. Në të cilën libri do të ketë më shumë peshë se sensacioni. Në të cilën të rinjtë nuk do të edukohen të kërkojnë sukses të shpejtë pa mund, por të kuptojnë se vlera e vërtetë krijohet me dije, disiplinë dhe këmbëngulje.

Sepse një popull që ndalon së lexuari, ngadalë ndalon edhe së menduari. Ndërsa një popull që ndalon së menduari, bëhet pre e lehtë e ndarjeve, manipulimeve dhe ndikimeve të huaja.

Pikërisht për këtë arsye festa e Shën Kirilit dhe Metodit është edhe festë e përgjegjësisë sonë.

Përgjegjësi ndaj gjuhës.

Ndaj shkollës.

Ndaj librit.

Ndaj dijes.

Ndaj gjeneratave të ardhshme.

Jo rastësisht  Fjodor Dostoevski ka shkruar:

„Bukuria do ta shpëtojë botën.“

Por bukuria e vërtetë nuk qëndron vetëm tek arti. Ajo qëndron edhe tek njeriu i ndriçuar nga dija. Tek njeriu që di, që mendon dhe që ka forcën morale të mbetet i palëkundur përballë kohës në të cilën jeton.

Të nderuar,

Shën Kirili dhe Metodi na kanë lënë më shumë se një alfabet. Na kanë lënë një detyrim qytetërues.

Të mos lejojmë që fjala të bëhet formë e zbrazët.

Të mos lejojmë që arsimi të bëhet vetëm formalitet.

Të mos lejojmë që të rinjtë ta humbin besimin se dija ka vlerë.

Sepse e ardhmja e një shteti nuk matet vetëm me numra dhe statistika. Ajo matet me atë se sa gjenerata të arsimuara, dinjitoze dhe të vetëdijshme krijon.

Dhe prandaj sot, kur përulemi para vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të mos e bëjmë këtë vetëm si pasardhës që kujtojnë të kaluarën. Ta bëjmë si një brez që ka detyrim ndaj së ardhmes.

Le t’i premtojmë vetes se do ta ruajmë shkrimin ashtu siç ruhet shtëpia.

Sepse një shtet mund të jetë i vogël në territor, por i madh në shpirt.

Mund të mos ketë pasuri të mëdha, por të ketë një popull që di, krijon dhe lë gjurmë.

Dhe një popull që ka shkrim, kulturë dhe arsim – kurrë nuk është popull i vogël.

Nga shkollat e Ohrit, përmes konakëve të manastireve, përmes mësuesve që ndiznin dritë edhe në kohërat më të vështira, e deri te gjeneratat e sotme të të rinjve – ndër shekuj ka udhëtuar e njëjta dritë. Drita e dijes. Drita e arsimit. Drita e shpirtit që nuk përkulet para asgjëje.

Dhe pikërisht për këtë arsye sot nuk guxojmë të bëhemi brez që do të heqë dorë nga libri, nga shkenca, nga vlerat dhe nga identiteti i vet.

Jo!

Ne duhet të jemi brez që do të krijojë.

Brez që do të mësojë.

Brez që do ta ngrejë Maqedoninë me dije, me dinjitet dhe me vetëbesim.

Sepse e ardhmja u përket popujve që besojnë në kulturën e tyre, në rininë e tyre dhe në forcën e tyre shpirtërore.

E ne kemi me çfarë të krenohemi.

Kemi një gjuhë që ka mbijetuar ndër shekuj.

Kemi një kulturë që ka qëndruar përballë sfidave të kohës.

Kemi një popull që ka ditur edhe kur ka qenë më së vështiri – të mos heqë dorë nga vetvetja.

Kjo është forca jonë.

Kjo është vertikalja jonë.

Kjo është përjetësia jonë.

Duke qëndruar para veprës së vëllezërve të shenjtë, duhet ta kuptojmë një të vërtetë thelbësore:

Perandori janë rrënuar.

Kufijtë kanë ndryshuar.

Sundimtarë kanë ardhur dhe kanë shkuar.

Por shkrimi ka mbetur.

Dhe pikërisht permes shkrimit, popujt janë bërë të përjetshëm.

Qoftë i uruar dhe i përjetshëm festa e iluministëve mbarësllavë Shën Kirili dhe Metodi.

Rroftë shkrimi që na bëri të ditur!

Rroftë arsimi që na ngriti!

Rroftë shpirti i Shën Kirilit dhe Metodit që na bashkon ndër shekuj!

Zoti e bekoftë Maqedoninë dhe të gjithë qytetarët e saj.

Ju faleminderit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit