Nuk pres zhvillim pozitiv të marrëdhënieve me Bullgarinë. Përkundrazi, mendoj se situata po radikalizohet. Kështu ka thënë sot kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve nëse pret ndonjë ndryshim në raportet me Bullgarinë. Komenti i tij erdhi në kontekstin e pjesëmarrjes së sotme të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, në një konferencë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje, ku është paraparë edhe takim bilateral me kryetaren e Parlamentit bullgar, Mihalea Millçeva-Docova, transmeton Portalb.mk.
Si arsye për këtë vlerësim, Mickoski përmendi publikimin në opinion të një note diplomatike që lidhej me qëndrimin disaditor të bashkëshortes së tij dhe djalit të tij më të vogël në Pamporovo të Bullgarisë, në fillim të këtij viti.
“Nuk pres përmirësim. Sinjalet që vijnë prej andej nuk më bëjnë optimist; përkundrazi, situata po radikalizohet. Dje pamë një precedent në diplomaci, kur u publikua një notë diplomatike për një qëndrim treditor të bashkëshortes sime dhe djalit tim më të vogël te miqtë tanë në Pamporovo. Kjo është një praktikë e pazakontë në botën e diplomacisë dhe ndoshta unike si e tillë. Paramendoni sikur ne të publikonim të gjitha notat diplomatike që na i dërgon fqinji ynë lindor, në të cilat ka informacione që ndoshta do të ishin interesante edhe për publikun. Prandaj, ajo që pamë dje ishte një precedent”, tha Mickoski.
Ai shtoi se për këtë rast tashmë i ka informuar partnerët e Maqedonisë së Veriut në NATO, pasi, sipas tij, publikimi i notës diplomatike ka rrezikuar sigurinë e familjes së tij.
“Megjithatë, ne jemi vend anëtar i NATO-s. Të gjithë këta tregues që po i shohim nuk flasin për përmirësim të situatës, por përkundrazi. Ka disa veprime amatoreske që për mua janë krejtësisht të paarsyeshme dhe të pakuptueshme”, deklaroi Mickoski.
Nota diplomatike për të cilën foli Mickoski është shkresë e datës 6 janar të këtij viti, me të cilën Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Sofje e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë se bashkëshortja dhe njëri nga djemtë e kryeministrit do të udhëtonin për në Pamporovo më 8 janar.
Dokumenti diplomatik u publikua javën e kaluar në rrjetet sociale dhe përmbante detaje rreth udhëtimit.
Marrëdhëniet me Bullgarinë janë tensionuar së fundmi edhe nga zjarri i automjeteve në Ambasadën Bullgare në Shkup.
Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.
Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.
Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.





