Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, është shprehur e shqetësuar lidhur me votimin e mundshëm të Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës. “Ndryshimet ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Zyra e BE-së ka njoftuar se që nga kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, është angazhuar aktivisht për t’ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë autoriteteve të Kosovës. “Kjo përfshin nevojën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”.
Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë sërish Ligjin për Gjykatën Speciale, në versionin e miratuar më 6 tetor, pavarësisht rezervave që ka për përmbajtjen e tij.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka votuar për përfshirjen e tij në rendin e ditës, ndërsa për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula nevojiten të paktën 61 vota. Pas rimiratimit, pritet të nisë një proces i ri për ndryshimin e ligjit.
Ligji për Specialen pritet të shqyrtohet në vazhdimin e seancës plenare, të premten.








