Për Maqedoninë Plani i Rritjes është shumë më tepër se një iniciativë, theksoi Kryeministri Hristijan Mickoski në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes në Tiranë. Kjo është një histori për shndërrimin e angazhimit në ndryshim të vërtetë, vazhdoi Mickoski, duke theksuar se Maqedonia ishte vendi i parë në rajon që e operacionalizoi Instrumentin për reforma dhe rritje dhe i pari që mori parafinancim në përputhje me Planin.
Ky ishte rezultat i punës së përkushtuar dhe besimit të fortë në vlerat evropiane. Agjenda jonë reformuese, e miratuar nga Komisioni Evropian, fokusohet në atë që është me të vërtetë e rëndësishme – qeverisje të mirë, energji të pastër, arsim, zhvillim të biznesit dhe sundim të së drejtës. Këto nuk janë qëllime abstrakte. Ato janë themelet e shtetit modern evropian, realiteti i përditshëm që duam t’ua sigurojmë qytetarëve tanë, theksoi Mickoski.
Mickoski, në fjalimin e tij, numëroi një pjesë të ndryshimeve që tashmë po zbatohen.
Këtë vit kemi paraqitur dy kërkesa për pagesën e fondeve, me të cilat mbështeten reformat prioritare të Qeverisë – veçanërisht në fushën e shërbimeve digjitale, forcimin e klimës afariste dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik. Deri më tani janë paguar rreth 24 milionë euro, kombinim i kredive dhe granteve investuese.
Vazhdojmë me hapat e mëtejshëm të reformave në të gjitha sektorët: menaxhimin e financave publike, transformimin digjital, zhvillimin e biznesit dhe reformat në gjyqësor. Përfundimi i këtyre hapave do të zhbllokojë mbështetje shtesë nga BE në vlerë prej mbi 134 milionë euro.
Por, këto nuk janë vetëm numra, janë histori për ndryshim, shtoi Mickoski, i cili theksoi anëtarësimin e Maqedonisë në Zonën e Vetme Evropiane për Pagesa (SEPA), si një nga partnerët e parë nga Ballkani Perëndimor, të integruar në këtë sistem evropian, pastaj projektin WiFi për Ballkanin Perëndimor (WiFi4WB), i cili po zbatohet në 63 komuna, Samitin Digjital në Shkup si një konfirmim i angazhimit për ndërveprim, identitet digjital të sigurt dhe për përafrim më të afërt me standardet evropiane digjitale, si dhe programin Horizont për ndërtimin e një Antene Nacionale të Fabrikës për Inteligjencë Artificiale, e cila lidh Maqedoninë me ekosistemin evropian të IA-së dhe me kapacitetet për superkompjuterë.
Mickoski u ndal edhe te lidhshmëria si një prioritet kryesor, duke folur për modernizimin e tre pikave kufitare – Deve Bair, Blacë dhe Bogorodicë – në kuadër të iniciativës Korrsi të Gjelbërta, me çka Europa bëhet fizikisht më afër qytetarëve.
-Tranizicioni ynë i gjelbër, nga konviktet studentore energjetikisht efikase deri te investimet e reja në infrastrukturën e transportit dhe hekurudhor, tregon se rritja dhe qëndrueshmëria mund të ecin dorë për dore. Në përgjithësi, projektet me vlerë rreth 1,1 miliard euro janë në proces sipas Planit të Rritjes, nga të cilat mbi gjysmë miliardë janë grante nga BE-ja, theksoi Mickoski, i cili foli edhe për bashkëpunimin më të thelluar rajonal përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Procesit të Berlinit, duke krijuar hapësirë që reflekton Tregun e Përbashkët Evropian.
Këta hapa janë dëshmi se kur integrojmë tregjet tona, kur lidhim rrugët dhe kur harmonizojmë rregullat, tashmë praktikojmë Bashkimin Evropian dhe vlerat e tij, përfundoi Mickoski.
Mesazhi ynë sot është i thjeshtë, por i fortë: Maqedonia përmbush. Ne nuk reformojmë sepse kjo pritet nga ne, por reformojmë sepse besojmë në idenë evropiane. Ne po ndërtojmë Evropën këtu, në vendin tonë, me politikat, veprimet dhe vlerat tona.
Tani presim të njëjtën gjë nga partnerët tanë, një qasje të drejtë dhe meritokratike që shpërblen rezultatet dhe njeh përkushtimin. Së bashku ta shndërrojmë këtë Plan të Rritjes në përparim dhe ndryshim të vërtetë; të jetë dëshmi se ideja evropiane vazhdon të frymëzojë, të bashkojë dhe të japë rezultate, jo nesër, por sot, theksoi Kryeministri Hristijan Mickoski në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes në Tiranë.





