Kryeministri Hristijan Mickoski, në edicionin e lajmeve të TV Sitel, duke folur për ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, theksoi se sipas këtyre ndryshimeve qeveria teknike do të mbetet për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa do të hiqet për zgjedhjet pas tyre. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye opozita dhe Filipçe kundërshtojnë këto ndryshime, nga frika se edhe zgjedhjet e ardhshme do t’i humbasin.
“Ndryshimet në Ligjin për Qeverinë parashikojnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vazhdojë të vlejë qeveria teknike, që nënkupton se, siç ishte për zgjedhjet e vitit 2024, 2020 dhe 2016, ashtu edhe tani në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ketë qeveri teknike. Unë, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, si kryetar politik i Qeverisë jap dorëheqje, vjen një kryeministër teknik, e zgjedh Parlamenti, opozita LSDM merr pjesë me kuadrot e saj në kuadër të organeve qeveritare, ministrive, zëvendësministrave etj. Opinioni duhet ta dijë këtë, ky është fakt, në zgjedhjet e ardhshme do të kemi qeveri teknike. Meqë vetë kryetari i LSDM-së thotë se janë aq të fortë dhe të organizuar, se njerëzit e njohin këtë dhe u bashkohen intelektualë, profesorë etj., supozoj se në zgjedhjet e ardhshme, ku do të ketë qeveri teknike, ata do të fitojnë dhe do të formojnë qeveri politike. Ligji thotë se pas atyre zgjedhjeve kjo nuk do të vlejë më, që do të thotë se ata që do ta udhëheqin qeverinë pas fitores në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kenë më qeveri teknike, por do të mund të qeverisin normalisht dhe të drejtojnë shtetin. Këto janë ndryshimet ligjore, ky është thelbi”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi gjithashtu se nëse LSDM është aq e fortë dhe e ekipuar dhe nëse do të fitojë zgjedhjet e ardhshme, siç pretendon Filipçe, atëherë ajo do të formojë qeveri në ato zgjedhje, ndërsa VMRO-DPMNE do të jetë opozitë në zgjedhjet vijuese. Prandaj, sipas tij, nuk janë të kuptueshme argumentet e LSDM-së kundër kësaj zgjidhjeje.
“Nëse besojmë se jemi një demokraci e pjekur dhe një shoqëri demokratike e pjekur, nëse besojmë se qeveria teknike e ka përmbushur rolin e saj dhe qëndrojmë pas këtij koncepti, duke rrezikuar që, siç thotë ai, LSDM e mobilizuar dhe e ekipuar, të cilës çdo ditë i bashkohen intelektualë, profesorë etj., të fitojë në zgjedhjet e ardhshme, kjo do të thotë se në zgjedhjet pas tyre ne do të jemi opozitë, ndërsa ata do të jenë në pushtet. Prandaj vërtet nuk mund t’i kuptoj këto argumente, këto teza, do të thosha pa asnjë logjikë”, theksoi Mickoski dhe shtoi:
“Qeveria e ardhshme, pavarësisht nëse zgjedhjet do të jenë të rregullta apo të parakohshme, sipas këtyre ndryshimeve do të ketë qeveri teknike. Meqë ata thonë se janë të fortë, pavarësisht sondazheve, thonë se kemi humbur 150 mijë vota, se po e rrisin potencialin e tyre dhe u bashkohen njerëz, intelektualë, profesorë, këtë e tha pikërisht në këtë studio, që do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme ata do të fitojnë dhe më pas do të mund të organizojnë normalisht zgjedhjet e ardhshme parlamentare në të cilat ne do të jemi opozitë. Nëse janë kaq të sigurt.”



