Ndryshimet kushtetuese në formën që kërkohen aktualisht nuk do të realizohen, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ai tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me këdo dhe kudo, me qëllim që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme që do ta çojë vendin drejt qëllimit përfundimtar – anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Sipas Mickoskit, ndërkohë Qeveria do të vazhdojë të zbatojë agjendën reformuese dhe të punojë për përmirësimin e standardit të jetesës dhe kushteve për qytetarët.
Duke komentuar kërkesat e Bashkimit Evropian, kryeministri theksoi se procesi duhet të zhvillohet mbi parime të qarta dhe pa standarde të dyfishta. Ai shtoi se, ashtu si Maqedonia e Veriut ka marrë përsipër detyrime ndaj Brukselit, edhe Bullgaria ka detyrime për respektimin e të drejtave të njeriut.
“Na kërkohet që ne, me arsyetimin se jemi jashtë BE-së dhe duam të bëhemi pjesë e saj, të pranojmë atë që është dakorduar. Por nga ana tjetër, edhe Bullgaria ka marrë përsipër detyrime, veçanërisht për respektimin e të drejtave të njeriut. Ekzistojnë disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg lidhur me komunitetin maqedonas në Bullgari, për të drejtën e organizimit dhe regjistrimit të shoqatave, dhe këto duhet të respektohen”, tha Mickoski.
Ai e cilësoi si politikë me standarde të dyfishta qasjen sipas së cilës, sipas tij, Maqedonisë së Veriut i kërkohet të pranojë kushte shtesë vetëm për shkak se ende nuk është anëtare e BE-së.
“Kjo nuk është një tryezë suedeze ku zgjedh atë që të përshtatet dhe lë atë që nuk të përshtatet. Këto janë parime. Nëse bëni kompromis me parimet vetëm kur ju konvenon, atëherë humbni besueshmërinë”, deklaroi kryeministri.
Mickoski tha se qëllimi përfundimtar i Qeverisë është anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian dhe jo vetëm nisja formale e procesit përmes zgjidhjeve të shpejta ose të përkohshme.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka bërë më herët disa lëshime, përfshirë ndryshimin e flamurit, kartëmonedhave dhe emrit kushtetues, me premtimin se këto hapa do të përshpejtonin integrimin evropian, por vendi ende nuk ka arritur anëtarësimin.
“Gjithmonë ishte e njëjta retorikë: dritarja është e hapur, ky është momenti, bëni edhe këtë dhe gjithçka do të përfundojë. Por përvoja na mëson ndryshe. Unë vetëm po përpiqem, si kryetar i Qeverisë, t’i shoh gjërat më qartë”, përfundoi Mickosk/INA/






