|
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Shkëlqesi,
Të dashur miq, të dashur kumanovarë,
Sot qëndrojmë përpara historisë së një populli që ndër shekuj ka kaluar nëpër shumë sprova, shumë padrejtësi dhe peripeci, por që kurrë nuk ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i lirë, për të qenë vetvetja, për të pasur shtëpinë dhe shtetin e vet.
Qëndrojmë përpara historisë së shtetit. Një vend që nuk e ka fituar lirinë si dhuratë. Një vend, shtetësia e të cilit nuk është produkt i rastësisë, ashtu siç as ekzistenca jonë nuk është një incident. Një vend, ekzistenca e të cilit nuk është rezultat i mëshirës së të tjerëve, por i brezave që patën guximin t’i kundërviheshin padrejtësisë, ta mposhtnin frikën dhe ta bënin të pamundurën të mundur.
Pikërisht 85 vjet më parë, në errësirën e një nate tetori, ndodhi diçka që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë maqedonase.
Në Prilep dhe Kumanovë filloi kryengritja e organizuar kundër pushtuesit fashist. Kryengritje që u shndërrua në një luftë të madhe nacionalçlirimtare, në të cilën mijëra paraardhës tanë dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot. Ata njerëz nuk kishin garanci se do të fitonin, se do ta prisnin ditën e nesërme. Nuk kishin ushtri të mëdha, nuk kishin pasuri, nuk kishin siguri.
Por kishin diçka shumë më të fuqishme. Kishin besim. Kishin një ideal. Kishin dashuri për atdheun. Dhe kishin guximin të thoshin se në histori ka momente kur heshtja nuk është zgjedhje, kur frika nuk duhet të jetë më e fortë se dinjiteti dhe kur e ardhmja e një populli është më e rëndësishme se fati personal.
Prandaj, sot, kur përulemi para sakrificës së tyre, kemi detyrimin të shtrojmë një pyetje shumë serioze.
A jemi ne, brezi që e trashëgoi lirinë e tyre, të gatshëm ta ndërtojmë të ardhmen me të njëjtin vendosmëri?
A jemi të gatshëm t’i tejkalojmë përçarjet, të përballemi me dobësitë tona, ta ndryshojmë shtetin aty ku ndryshimet janë më të vështira? A jemi të gatshëm të ndjekim rrugën më të vështirë, por të drejtë. Të besojmë te vetja, e jo te fjalët e të tjerëve dhe të përkushtohemi deri në fund për të ardhmen e përbashkët.
Dhe a jemi të gatshëm të lëmë pas një atdhe më të fortë se ai që trashëguam?
Përgjigjja ime është e qartë dhe e padiskutueshme.
Po! Po! Jemi të gatshëm.
Edhe pse jo të gjithë në spektrin politik edhe pse jo të gjithë besojnë, madje ka edhe të tillë, si në të kaluarën ashtu edhe sot, që punojnë kundër nesh, ne jemi të gatshëm. Ne nuk kemi të drejtë të dështojmë.
Sepse atdheu ynë është më i madh se çdo brez politik!
Sepse shteti është një histori më e madhe se të gjitha interesat afatshkurtra personale. Sepse atdheu mbrohet me parime, besim dhe rezultate, e jo me fyerje dhe marrëveshje nën tavolinë.
SEPSE MAQEDONIA ËSHTË MË E MADHE SE ÇDO BREZ POLITIK!
Sepse shteti nuk është vetëm flamuri, himni dhe kufijtë.
Shteti është besim. Ai është edhe sistem.
Shteti është një premtim ndaj çdo qytetari se e ardhmja e tij nuk do të varet nga interesat personale të dikujt, por nga puna, njohuritë dhe aftësitë e tij.
Dhe pikërisht këtu qëndron përgjegjësia jonë më e madhe.
Të ndërtojmë një atdhe që nuk do ta kremtojë vetëm historinë e vet.
Por një shtet që do të krijojë fitore të reja për historinë. Një histori suksesi ekonomik, drejtësie institucionale dhe dinjiteti kombëtar. Një histori zhvillimi dhe përparimi.
MJAFT ME AMBICIE TË VOGLA – NA DUHEN QËLLIME TË MËDHA
Mjaft më me ambicie të vogla dhe mundësi të humbura. Për shumë kohë jemi kënaqur me mediokritetin. Është koha të vendosim qëllime të mëdha kombëtare, të marrim vendime të guximshme dhe të krijojmë një shtet që nuk do të mbijetojë, por do të përparojë.
Nuk guxojmë të mbetemi të bllokuar, të robëruar mes kënetës dhe llumit të grumbulluar ndër dekada. Lajmi i keq është se ata e pushtojnë hapësirën duke përhapur gënjeshtra, dyshime dhe kurthe, duke krijuar shqetësim dhe duke vepruar me dinakëri. Gëzohen për çdo gjë të keqe dhe dëshirojnë e punojnë për dështim. U shiten atyre që nuk kanë qëllime të mira ndaj shtetit, duke u bërë shërbëtorët dhe ortakët e tyre më besnikë në synimin për ta parë shtetin të gjunjëzuar.
Lajmi i mirë është se ata tashmë janë si një libër i lexuar dhe fundi i tyre duket qartë. Populli fiton. Ndërsa atdheu jo vetëm që nuk bie në gjunjë, por po i kthehet popullit. Për një kohë të gjatë, shteti jetoi brenda kufijve të pritshmërive të vogla.
BETEJA MË E MADHE E BREZIT TONË ËSHTË BETEJA PËR TË ARDHMEN E FËMIJËVE.
Beteja më e madhe kombëtare është beteja për të rinjtë. Duhet të ndërtojmë një të ardhme në të cilën të rinjtë nuk do të zgjedhin mes atdheut dhe së ardhmes së tyre. Një vend ku ata do të qëndrojnë, do të krijojnë familje dhe do t’i realizojnë ëndrrat e tyre.
Çdo ditë bie të fle dhe zgjohem me pyetjen: A po ia dalim dhe a mundemi më mirë?
E vërtetë që është shumë e vështirë. Edhe pse nuk flas hapur për këtë, ndiej dhembshuri për çdo fat të vështirë për të cilin dëgjoj gjatë bisedave apo në media. Dhe do të jepja gjithçka për ta zgjidhur çdo çështje dhe çdo hall të popullit.
Jam i sigurt se mund të bëhet më shumë, por po ashtu jam i sigurt se po arrijmë rezultate dhe po e jap atomin e fundit të forcës sime për të bërë shumë më tepër, për të vendosur rregull në kaosin, për të zbatuar reforma në rrëmujën që trashëguam dhe për të ngritur një shtëpi të fortë mbi themelet që po i ndërtojmë nga e para.
Dhe në këtë betejë tonën, rezultatet janë të dukshme. Të krijosh sukses kur ke një sistem normal do të ishte e lehtë, por të arrish rritje mes një stuhie, në një sistem të rrënuar si ai që trashëguam dhe në një krizë globale si kjo që po përjetojmë, është jashtëzakonisht e vështirë. Këtë e dëshmojnë shifrat, të cilat nuk janë vetëm statistikë, por fakte dhe tregues realë.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, realizuam rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 4,3 për qind, ndërsa rritja nominale ishte mbi 8%. Enti Shtetëror për Statistikë publikoi rezultate të rishikuara për arritjet tona në vitin 2024 dhe e korrigjoi në kahun pozitiv rritjen e PBB-së, nga 3% në 3,8%.
Ky është një tregues i një ekonomie që ecën përpara, krijon vlerë të re dhe hap hapësirë për një standard më të lartë jetese. Në dy vitet e përfunduara, 2024 dhe 2025, rritja nominale ishte më e larta në rajon, mbi 8% dhe në këtë drejtim po vazhdojmë edhe në vitin 2026.
Eksporti në tetë muajt e parë të vitit arriti në 5,74 miliardë euro, me rritje prej 8,7 për qind. Kjo nënkupton plasim më të madh të produkteve maqedonase në tregjet e huaja, më shumë aktivitet ekonomik dhe mundësi të reja për kompanitë vendase.
Paga mesatare neto në muajin korrik arriti në 48.499 denarë, me rritje nominale vjetore prej 7,1 për qind.
Qëllimi i kësaj Qeverie është që deri në fund të mandatit t’i afrohemi shifrës së pagës mesatare prej 1.000 eurosh, ose pak më shumë se 60.000 denarë.
Do të doja të them disa fjalë edhe për standardin jetësor dhe shpenzimet e jetesës së qytetarëve. Nëse në të kaluarën na bindnin se rritja e shpenzimeve të jetesës dhe inflacioni ishin dukuri të importuara, se e tillë ishte gjendja në Evropë dhe në botë, atëherë ne, meqë nuk ishim rast i izoluar – gjë që është e vërtetë – duhej të kishim shpenzime jetese dy herë më të larta dhe inflacion dy herë më të lartë se ai që në atë kohë ishte në Bashkimin Evropian.
Gjatë tre muajve të fundit, pasi u konsoliduam në aspektin makroekonomik në kushtet e një krize të thellë dhe të vështirë globale, po shohim një shembull krejt të kundërt nga ajo që na bindnin deri para disa vitesh. Sot shohim se shpenzimet e jetesës po rriten, por shumë më ngadalë se ato në vendet tona fqinje dhe në Bashkimin Evropian.
Gjatë muajve të fundit, përkatësisht në tre muajt e tremujorit të tretë – korrik, gusht dhe shtator – shpenzimet e jetesës u rritën nga 2,3 deri në 2,7%, ose pak më shumë se 2,5%, në kushtet kur mesatarja në Bashkimin Evropian është mbi 3,8% ose 25% më e ulët se ajo që është në rritje brenda Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se teza se inflacioni ishte i importuar dhe se shpenzimet e jetesës duhej të rriteshin sepse po rriteshin edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, nuk ishte e saktë.
Nëse i shohim vendet fqinje, do të vëreni se në shtator, nëse tek ne inflacioni është 2,6… 2,7 përkatësisht 2,7% në shtator, te fqinji ynë jugor ai është mbi 5%, ndërsa te fqinji ynë lindor është 5,6%, pritet që edhe te vendet e tjera fqinje inflacioni të jetë mbi 4%. Pra, është dëshmuar se mund të arrihen rezultate më të mira pasi të konsolidohet gjendja në vend.
Prandaj them se, ngadalë, por sigurt, puna e palodhur dhe përpjekjet e mëdha që po bëjmë po japin rezultate dhe treguesit e parë tashmë po shfaqen.
Qëllimi ynë është që rritja ekonomike të përkthehet gjithnjë e më shumë në të ardhura më të larta dhe në një jetë më cilësore për qytetarët.
Por nuk do të them se këto rezultate janë të mjaftueshme. Ende ka familje që mezi arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet mujore, të rinj që kërkojnë mundësi më të mira dhe kompani që kanë nevojë për mbështetje më të madhe. Për ne, suksesi ekonomik nuk do të jetë vetëm një shifër në raportin statistikor. Suksesi i vërtetë do të jetë kur rritja ekonomike të ndihet në çdo shtëpi. Sepse shteti ndërtohet me punë, investime, prodhim, vende të reja pune dhe rezultate. Ambicia jonë është që atdheu të përparojë në atë mënyrë që çdo brez i ardhshëm të jetojë më mirë se brezi paraprak.
Dhe pikërisht për këtë arsye opozita është nervoze. Prandaj fyejnë. Këto suksese, për shkak të mjegullës që krijojnë, nuk arrijnë t’i shohin. Dhe prandaj, e vetmja gjë që u mbetet është të fyejnë. Për ta, gjëja më e lehtë është të gënjejnë dhe të manipulojnë. Nuk kanë as vizion, as program. E vetmja gjë që kanë dhe në të cilën janë kampionë botërorë është të nënshkruajnë gjithçka që u vihet mbi tavolinë, çdo fletë të bardhë letre, natyrisht, vetëm nëse qytetarët mund ta paguajnë atë. Ata i intereson vetëm kolltuku dhe pushteti, asgjë më shumë.
Sa i përket këtyre sfidave apo çështjeve të hapura që kemi, para së gjithash mendoj për çështjen e hapur që kemi me fqinjin tonë lindor. Ne nuk kërkojmë që bota të përshtatet me ne. Ne kërkojmë të trajtohemi me të njëjtin respekt me të cilin i trajtojmë të tjerët.
Prandaj, dua ta them qartë: Nuk do ta ndërtojmë të ardhmen mbi urrejtje. Nuk do t’i shndërrojmë dallimet në armiqësi. Nuk do të lejojmë që e kaluara të jetë pengesë për bashkëpunimin. Por, as nuk do të heqim dorë nga dinjiteti ynë. Sepse miqësia e vërtetë nuk kërkon të heqësh dorë nga vetvetja. Miqësia e vërtetë bazohet në respektin e ndërsjellë. Dhe e ardhmja e vërtetë evropiane duhet të jetë një e ardhme në të cilën shteti do të hyjë me kokën lart. Jo me ndjenjën e humbjes, por me ndjenjën e përkatësisë.
Qëllimi ynë është një e ardhme evropiane, por për një shtet që është i sigurt në vetvete, në historinë e tij dhe në të ardhmen e tij.
Dinjiteti nuk është objekt negocimi. Ne duam një të ardhme evropiane, aleanca të forta dhe miqësi, por me kokën lart. Identiteti, gjuha dhe historia maqedonase janë trashëgimia jonë, krenaria jonë dhe detyrimi ynë ndaj brezave të ardhshëm.
Atdheu ynë është më i madh se çdo parti dhe çdo qeveri. Dallimet politike nuk duhet të jenë më të forta se përgjegjësia jonë e përbashkët. Na nevojitet unitet kombëtar rreth qëllimeve të mëdha strategjike.
Përpara nesh është një dekadë me ndryshime të mëdha. Nuk duhet ta shpenzojmë të ardhmen duke kërkuar justifikime. Nevojiten reforma, investime, infrastrukturë, arsim bashkëkohor, sistem i fuqishëm shëndetësor dhe institucione që do t’u shërbejnë qytetarëve.
Paraardhësit tanë nuk na lanë një shtet të lirë që ne të kemi frikë nga e ardhmja e tij. Na e lanë që të kemi guximin për ta ndërtuar atë. Liria që kemi trashëguar nuk është meritë e jona. Por shteti që do të lëmë pas do të jetë përgjegjësia jonë.
Më 11 Tetor nuk vendosej vetëm se si do të jetohet dita e nesërme. Vendosej nëse brezat e ardhshëm do të kishin të drejtën të vendosnin vetë për fatin e tyre.
Me fqinjin tonë lindor na lidhin fqinjësia, historia dhe e ardhmja e këtij rajoni. Për të kaluarën mund të kemi interpretime të ndryshme. Për të ardhmen duhet të kemi përgjegjësi të përbashkët – të ndërtojmë marrëdhënie në të cilat askush nuk do të duhet ta mohojë tjetrin për të pohuar vetveten.
Gjuha jonë nuk është pengesë për të ardhmen evropiane. Ajo është pjesë e pasurisë kulturore evropiane. Identiteti ynë nuk është një problem që duhet zgjidhur, por një dinjitet që duhet respektuar.
Ne nuk kërkojmë që Evropa të zgjedhë mes nesh dhe atyre. Kërkojmë që parimet evropiane të vlejnë njësoj për të gjithë.
Nuk dua që brezat që vijnë ta trashëgojnë mosbesimin tonë. Dua që ta trashëgojnë guximin tonë për t’i zgjidhur problemet.
Një ditë, fëmijët tanë nuk do të na pyesin se sa fort kemi folur për shtetin. Ata do të na pyesin se çfarë atdheu u kemi lënë.
Paraardhësit tanë patën guximin të luftojnë për një shtet. Ne duhet të kemi mençurinë për ta ruajtur atë, forcën për ta zhvilluar dhe përgjegjësinë për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm më të fuqishëm sesa e kemi trashëguar.
Dhe secili duhet ta dijë se alternativa ndaj kësaj beteje tonë është shembja e digës së fundit që na mbron nga të gjitha politikat joparimore kundër të cilave po luftojmë. Ose parimet, ose ata me tregtinë e tyre. Ose një atdhe i fuqishëm, ose një shtet në shitje. Kjo është zgjedhja. Atdheu nuk është krijuar për të qenë rob i dobësive të tyre!
Dhe do t’i dëgjoni të flasin për gjithçka, vetëm nga populli ikin. Prandaj as për zgjedhje nuk flasin.
Të dashur miq,
Paraardhësit tanë luftuan për liri.
Brezi i pavarësisë krijoi një shtet sovran. Brezi ynë ka detyrimin të krijojë një shtet të suksesshëm, ekonomikisht të fuqishëm dhe dinjitoz.
Mjaft më me përçarje. Mjaft më me justifikime. Mjaft më me mundësi të humbura dhe ambicie të vogla.
Është koha për vendime të mëdha. Është koha për vepra të mëdha. Është koha për një vetëbesim të ri kombëtar. Shteti është krijuar për t’u zhvilluar, për të përparuar, për të krijuar dhe për të fituar! Jo për të mundur popuj të tjerë, por për të mposhtur varfërinë, korrupsionin, padrejtësinë, përçarjet dhe emigrimin.
Paraardhësit tanë na e lanë lirinë. Prindërit tanë na e lanë pavarësinë. Ndërsa ne, fëmijëve tanë, duhet t’u lëmë një shtet të suksesshëm!
Të nderuar qytetarë,
Tetëdhjetë e pesë vjet më parë, në një nga netët më të vështira të historisë sonë, kishte njerëz që nuk e dinin nëse do ta shihnin agimin. Por ata e dinin se atdheu duhej të përjetonte një agim më të mirë. Ata nuk kishin garanci se do të fitonin. Nuk ishin të sigurt nëse do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Nuk kishin mundësi ta dinin se si do të dukej bota që do të linin pas. Por kishin diçka më të fuqishme se frika. Kishin besimin se liria vlen më shumë se vetë jeta.
Prandaj, sot, kur qëndrojmë përpara veprës së tyre, duhet t’i shtrojmë vetes një pyetje.
Çfarë do të thonë brezat pas nesh për kohën në të cilën jetuam?
A do të thonë se ishim një brez që u frikësua nga sfidat? Se i shtynim vendimet për më vonë? Se lejuam që përçarjet të ishin më të forta se e ardhmja jonë e përbashkët?
Apo do të thonë se pikërisht në kohën tonë shteti gjeti forcën për të ecur përpara?
Se e ruajtëm shtetin, i forcuam institucionet e tij, e zhvilluam ekonominë dhe krijuam mundësi të reja për fëmijët tanë?
Historia nuk do të na kujtojë për fjalët që kemi thënë.
Do të na kujtojë për veprat që kemi lënë pas.
Prandaj, sot, nga ky vend, dua të përcjell disa mesazhe.
Këtu kemi lindur, kjo është toka për të cilën jemi përgjegjës.
Ajo jeton në kujtimin e atyre që dhanë jetën për lirinë.
Në duart e punëtorit që çdo mëngjes niset për në punë.
Në shpresën e bujkut që punon tokën e tij.
Në dijen e mësuesit që përgatit brezat e ardhshëm.
Në përkushtimin e mjekut që shpëton jetë njerëzish.
Në ëndrrat e çdo fëmije që meriton të rritet në një shtet të sigurt, dinjitoz dhe të begatë.
Jo vetëm një e kaluar që e respektojmë.
Por edhe një e tashme për të cilën mbajmë përgjegjësi.
Dhe një të ardhme që e krijojmë së bashku.
Paraardhësit tanë bënë atë që në kohën e tyre dukej e pamundur. Ata hapën portën e lirisë. Detyra jonë është që ajo portë të mos mbyllet kurrë dhe që përmes saj të kalojnë breza që do të jetojnë më mirë, më të lirë dhe me më shumë dinjitet.
Prandaj, le të mos jetë ky 11 Tetor vetëm një ditë kujtimi.
Le të jetë ditë e një përgjegjësie të re.
Përgjegjësi për ta ruajtur lirinë. Sepse liria nuk është një histori e përfunduar. Liria është një vepër që çdo brez duhet ta vazhdojë.
Dhe kur një ditë fëmijët tanë të kthejnë kokën pas, drejt kësaj kohe, të mund të thonë me krenari:
Ata nuk u dorëzuan.
Ata nuk e humbën shpresën.
Ata nuk harruan se nga vijnë.
Dhe patën guximin të vendosin se ku duan të arrijnë. Paraardhësit tanë na e lanë Maqedoninë si amanet. Ne ua kemi borxh fëmijëve tanë si të ardhme.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për luftëtarët e lirisë!
Gëzuar 11 Tetorin!
Qoftë e përjetshme dhe Zoti e bekoftë Maqedoninë!
|