Qëllimi i konferencës së sotme për shtyp janë rezultatet më të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e Bruto Prodhimit Vendor (BPV). Këto shifra tregojnë se rritja e BPV-së së Maqedonisë është sërish ndër pesë më të lartat në Evropë, si përqindje e BPV-së, gjë që paraqet një rezultat të jashtëzakonshëm.
Para se të ndalem më shumë te shifrat, dua të theksoj se jam plotësisht i vetëdijshëm për vështirësitë e jetës reale dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët, por edhe ne si qeveri. I kuptoj problemet, koston e lartë të jetesës dhe presionet e përditshme. Mund të ketë nga ata që dyshojnë në zhvillimin që po krijojmë dhe të tjerë që e shohin me përqeshje, por dua të theksoj se synimi ynë është të ecim hap pas hapi përpara dhe të vazhdojmë me vendosmëri luftën për një jetë më të mirë. Sepse unë dhe të gjithë ne duhet të besojmë se mund të bëjmë më mirë dhe se çdo ditë e çdo orë punojmë që Maqedonia të ecë më shpejt përpara.
Sot do të paraqes tre tregues të rëndësishëm statistikorë të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave:
1. Rritja e BPV-së sipas Eurostatit
Këto nuk janë të dhëna të Qeverisë, të Hristijan Mickoskit apo të partive politike, por të Eurostatit. Sipas Eurostatit, Maqedonia renditet në vendin e pestë në Evropë për rritjen e BPV-së ndër vendet për të cilat janë publikuar të dhënat. Para nesh janë Malta, Polonia dhe Serbia.
Nëse analizohen tabelat e Eurostatit, do të shihet se për shtatë tremujorë radhazi, pas konsolidimit të institucioneve, vendi po realizon rritje ekonomike që e rendit fillimisht në gjysmën e parë të vendeve evropiane, e më pas edhe ndër pesë vendet më të mira në Evropë.
2. Rritja e prodhimit industrial
Treguesi i dytë është prodhimi industrial. E di se kjo do të jetë një lajm i keq për ata që nuk duan suksesin e shtetit, por një lajm i mirë për shumicën e qytetarëve.
Në prill të këtij viti, prodhimi industrial u rrit me 7,6 për qind krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Në katër muajt e parë të vitit 2026, prodhimi industrial është në territor pozitiv me 0,2 për qind, ndërkohë që shumë vende evropiane shënojnë rënie.
Kjo ndodh në kushte të krizës më të madhe energjetike globale, e cila sipas ekspertëve është më e rëndë edhe se krizat energjetike të viteve 1970 dhe ajo e vitit 2022 pas fillimit të luftës në Ukrainë.
3. Rritja e numrit të të punësuarve
Treguesi i tretë është numri i vendeve të reja të punës.
Numri i të punësuarve në 21 muajt e parë të kësaj qeverie është rritur ndjeshëm. Në fund të marsit 2026 kishte 707.385 të punësuar, ndërsa kur qeveria u zgjodh në qershor të vitit 2024, numri ishte 691.736.
Kjo do të thotë se janë krijuar afërsisht 16 mijë vende të reja pune.
E di se këto të dhëna do të jenë zhgënjyese për ata që nuk dëshirojnë suksesin e vendit, por janë lajm i mirë për shumicën e qytetarëve, sepse Maqedonia po përshpejton zhvillimin dhe po ecën përpara.
“Maqedonia po ecën përpara”
Qëllimi i konferencës së sotme ishte të shpjegojmë rezultatet dhe punën që po bëjmë. Maqedonia po përshpejton zhvillimin dhe shteti duhet të ecë përpara.
Po tregojmë se edhe me burime modeste mund të arrihen rezultate të mëdha. Mbetemi të përkushtuar në zgjidhjen e problemeve, kthimin e borxheve, sigurimin e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Në një kohë kur rajoni dhe bota përballen me sfida serioze ekonomike, politike dhe të sigurisë, me presione inflacioniste dhe pasiguri gjeopolitike, Maqedonia po tregon se mund të vazhdojë të përparojë.
Pavarësisht rrethanave të ndërlikuara, vendi po shënon rritje dhe po lëviz në drejtim pozitiv. Kjo është rezultat i punës së përkushtuar, prioriteteve të qarta dhe vendosmërisë që shteti të mos mbetet peng i krizave, por t’i tejkalojë ato.
Kjo qeveri mbetet e përkushtuar edhe në luftën kundër korrupsionit dhe në zbatimin e drejtësisë për të gjithë.
Pres që në periudhën që vjen ritmi i punës dhe rezultatet të jenë edhe më të fuqishme.
Rritja ekonomike dhe rritja e BPV-së nuk janë vetëm shifra – ato janë dëshmi e punës sonë, investimeve dhe përkushtimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë. Synimi ynë është një ekonomi e fortë, stabile dhe konkurruese që krijon vende të reja pune, paga më të larta dhe standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët.
Së bashku, hap pas hapi, po ndërtojmë të ardhmen e shtetit tonë.
Faleminderit.






