Mickoski: Ja kur do të përfundojnë autostradat Kërçovë-Ohër, Tetovë-Gostivar, Bllacë-Shkup dhe sa do të kushtojnë!

 

 

 

Qeveria paralajmëron investime prej 10 miliardë eurosh në projekte kapitale infrastrukturore gjatë 10 viteve të ardhshme, përfshirë autostrada të reja, rrugë ekspres, hekurudha dhe rindërtimin e kapaciteteve ekzistuese shëndetësore dhe energjetike.

 

“Gjatë gjysmës së dytë të vitit presim që njëkohësisht të ndërtohen gjashtë segmente autostradash në vend”, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski në një takim informues me mediat.

 

Për autostradën Kërçovë–Ohër (57 kilometra), e cila po ndërtohet tashmë prej 12 vitesh dhe nga e cila janë lëshuar në përdorim 34 kilometra, pritet që segmenti Izvor–Vërbjani të vihet në funksion më së voni deri në shtator ose tetor të këtij viti, ndërsa segmenti Vërbjani–Botun po ashtu të përfundojë sipas dinamikës së planifikuar të punimeve.

 

“Presim që, sipas skenarit optimist, segmenti Izvor–Vërbjani, përfshirë viaduktet dhe tunelet, të vihet në përdorim deri më 8 Shtator – Ditën e Pavarësisë. Nëse nevojiten punime shtesë, afati mund të shtyhet deri në shtator ose tetor. Lëshimi i plotë në përdorim i autostradës, nga Kërçova deri te dalja afër Ohrit, pritet në tremujorin e parë të vitit 2027”, tha Mickoski.

 

Ai sqaroi se më pas do të mbeten edhe rreth tre kilometra pranë fshatit Botun, të cilat duhet të lidhen me segmentin nga Bukojçani deri te pika e lidhjes me autostradën ekzistuese. Për këtë pjesë, financimi është siguruar, procedura e tenderimit ka përfunduar dhe është përzgjedhur kompania ndërtuese, ndërsa pritet miratimi përfundimtar nga kreditorët.

 

Mickoski kujtoi se marrëveshja e kredisë me bankën kineze Exim për këtë projekt ishte ndërprerë, pas së cilës shteti formoi një sindikatë bankare me banka vendore dhe siguroi 175 milionë euro për përfundimin e projektit. Me këto mjete do të përfundojë e gjithë autostrada Kërçovë–Ohër, përfshirë rrugët dytësore, gardhet, sinjalizimin dhe pajisjet e sigurisë në tunele.

 

Sipas tij, edhe me financimin shtesë, kostoja për kilometër mbetet më e ulët se ajo e segmenteve të Korridorit 8 dhe Korridorit 10 që po realizohen nga konsorciumi Bechtel & Enka.

 

Për segmentin autostradal Bukojçani–Kërçovë, që financohet nga European Bank for Reconstruction and Development me afro 220 milionë euro, tashmë është përzgjedhur ofertuesi më i favorshëm dhe pritet miratimi përfundimtar nga banka. Nëse procedurat zhvillohen sipas planit, punimet do të fillojnë në shtator ose tetor.

 

Sa i përket segmentit të dytë të autostradës Bllacë–Shkup, është përfunduar vlerësimi i ofertave dhe është zgjedhur kompania fituese, por procedura po vazhdon për shkak të një ankese. Pritet që punimet në terren të nisin këtë ose muajin e ardhshëm. Buxheti i përgjithshëm i projektit arrin në 215 milionë euro, gjithashtu të financuara nga EBRD.

 

Nga projekti me konsorciumin Bechtel & Enka, në kuadër të të cilit po ndërtohen segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir, deri në fund të muajit pritet të qartësohet dinamika e punimeve edhe për segmentin Trebenishtë–Qafë Thanë.

 

“Presim që 11.5 kilometrat e parë të segmentit Prilep–Manastir të lëshohen në përdorim në një zgjidhje bazë autostradale deri në shtator të vitit 2027”, tha Mickoski.

 

Ai shtoi se qeveria kishte trashëguar një situatë ku ishin paguar paraprakisht rreth 350 milionë euro, ndërsa për dy vite nuk kishte pasur progres të konsiderueshëm në terren. Sipas tij, janë bërë ndryshime ligjore dhe është siguruar një strukturë më e qëndrueshme financiare.

 

Në vitet 2027, 2028 dhe 2029 planifikohet të realizohen nga rreth 250 milionë euro investime në vit për këtë projekt, ndërsa nëse mbeten aktivitete më të vogla, ato do të përfundojnë gjatë vitit 2030. Qeveria po shqyrton edhe mundësinë e sigurimit të financimit të plotë për tre vitet e mbetura të realizimit, që do të nënkuptonte rreth 900 milionë euro shtesë.

 

Po ndërmerren masa që në projektet infrastrukturore të përfshihen sa më shumë kompani vendore, me qëllim që një pjesë më e madhe e mjeteve të mbetet në ekonominë maqedonase.

 

Në fushën e rrugëve ekspres, ka nisur projektimi i segmentit Koçan–Vinicë–Dellçevë, si pjesë e strategjisë për modernizimin e infrastrukturës rrugore në pjesën lindore të vendit. Projekti vlerësohet në rreth 120 milionë euro.

 

“Me këtë, praktikisht, Korridorit 8 do t’i qasemi nga tre drejtime në pjesën lindore të shtetit”, tha Mickoski, duke përmendur edhe segmentin drejt Kriva Pallankës dhe rrugën ekspres që do të mundësojë anashkalimin e Kumanovës dhe lidhjen e autostradës te Romanovca me Stracinin.

 

Në infrastrukturën hekurudhore, projektet kryesore janë modernizimi dhe ndërtimi i hekurudhës së Korridorit 10, ku punimet në terren pritet të përfundojnë deri në fund të vitit, si dhe ndërtimi i hekurudhës së Korridorit 8 drejt Bullgarisë. Aktualisht po ndërtohet segmenti Kumanovë–Kriva Pallankë, ndërsa për segmentin Kriva Pallankë–kufiri me Bullgarinë, përfshirë tunelin ndërkufitar hekurudhor, ende nuk kanë nisur punimet në terren. Gjithashtu është planifikuar edhe modernizimi i linjës hekurudhore Shkup–Kërçovë në kuadër të Korridorit 8./MIA

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit