Mickoski-Filipçes: Inflacioni ra në 3,4%, në vitin 2022 ishte 14,7%

Advertisement
Kryeministri Hristijan Mickoski paraqiti të dhëna krahasuese ekonomike, duke theksuar se rritja e BPV-së dhe rritja e pensioneve janë trefish më të larta tani sesa gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së. Pagat rriten me ritëm më të shpejtë, çmimet e derivateve të naftës janë më të ulëtat në rajon pavarësisht kushteve të krizës, ndërsa, duke krahasuar të dhënat për inflacionin, nënvizoi se inflacioni në qershor të vitit 2026 është 3,4%, ndërsa në qershor të vitit 2022, gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, ishte 14,7%.

Në përgjigje të pyetjes së deputetit Venko Filipçe, Mickoski foli edhe për kredinë hungareze, duke theksuar se Hungaria ka konfirmuar se bëhet fjalë për kredi të marrë me kushte preferenciale.

“Si shtet kemi arritur të sigurojmë mjete të lira financiare, ose të jem më preciz, më të lirat krahasuar me të gjitha shtetet e tjera që në atë periudhë kanë siguruar financim të tillë, gjysmën e këtyre mjeteve e shfrytëzuam për shlyerjen e euroobligacionit në vlerë prej 500 milionë eurosh, ndërsa një e katërta e gjysmës tjetër përdoret nga kompanitë përmes kredive të subvencionuara me normë interesi prej 1,95%, ndërsa pjesa e mbetur prej 250 milionë eurosh, së bashku me 250 milionë euro të tjera, është përdorur për financimin e projekteve në komuna, përfshirë edhe ato komuna ku LSDM-ja ka disa krerë komunash. Unë mendoja se ju do të dilnit dhe do ta përgëzonit shtetin për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, për të cilën vetë shteti hungarez thotë se është me kushte preferenciale dhe se qytetarët hungarezë do të duhej të paguanin edhe 250 milionë euro kamata shtesë, e kështu me radhë, por ju sërish dilni dhe thoni gjëra që nuk janë të vërteta”, u përgjigj Mickoski deputetit Filipçe.

“Karburantet dhe çmimet e karburanteve janë bindshëm më të ulëtat në rajon, ndërkohë që bëhet fjalë për një mall që tregtohet në bursat ndërkombëtare”, vazhdoi Mickoski.

“Bëhet fjalë për mall që tregtohet në bursat ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë nëse kjo qeveri ka apo nuk ka aftësi sipërmarrëse, njësoj si në kohën kur ju ishit ministër, kur ishim të ngujuar në fund, përkatësisht në krye të listës për nga numri i të vdekurve gjatë kovid krizës, në kohën kur përpiqeshit të siguroni vaksina përmes kompanisë ‘Stabri’ në Hong Kong, veprimtaria themelore e së cilës ishte tregtia me fruta jugore, por që nuk arritët t’i siguroni. Atëherë në opinion qarkullonte një anekdotë për ju, sipas së cilës praktikisht përpiqeshit t’i ndihmonit qytetarët duke i mbingarkuar me çmime disa herë më të larta për vaksinat përmes kësaj kompanie ‘Stabri’. Unë pres që Prokuroria ta marrë në dorë këtë rast dhe ta hetojë. Nuk po ju kërcënoj, nuk keni arsye të frikësoheni. E di që Frojdi vepron për ju, por nuk keni pse të frikësoheni.”

Më pas, Mickoski vijoi me krahasimin e treguesve ekonomikë mes qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së dhe qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.

“Sa i përket ekonomisë, po krahasojmë qershorin e vitit 2026 me qershorin e vitit 2022, të njëjtët muaj, me dallimin se kriza aktuale është bindshëm më e thellë dhe më e rëndë se ajo e qershorit 2022, veçanërisht për sa i përket presioneve dhe lëvizjeve inflacioniste. Kam analizuar dymbëdhjetë shtete të rajonit – Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë, Slloveninë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën, Greqinë, Kroacinë, Bullgarinë, Kosovën, Rumaninë dhe Turqinë. Në qershor të vitit 2022, gjatë qeverisjes së LSDM-së, BDI-së dhe partnerëve të tjerë të koalicionit, inflacioni ishte 14,7%. Me këtë normë renditeshim të tetët ndër këto dymbëdhjetë shtete. Në qershor të vitit 2026 inflacioni është 3,4%, duke u renditur në vendin e tretë, të cilin e ndajmë me Shqipërinë. Serbia ka 2,7%, ndërsa pas nesh renditen Sllovenia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Greqia, Kroacia, Bullgaria, Kosova, Rumania dhe Turqia. Në qershor të vitit 2022, para nesh renditeshin Shqipëria, Sllovenia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Kosova e të tjera. Këto janë fakte.

Sa u përket pagave dhe të ardhurave. Paga mesatare neto në vend në korrik të vitit 2017 ishte 22.671 denarë, ndërsa në maj të vitit 2024 arriti në 41.252 denarë. Gjatë 83 muajve të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, paga mesatare u rrit mesatarisht me 224 denarë në muaj. Paga mesatare neto në korrik të vitit 2024 ishte 40.961 denarë, ndërsa në maj të vitit 2026 arriti në 49.544 denarë. Gjatë 23 muajve të qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, paga mesatare është rritur mesatarisht për 373 denarë në muaj. Po flas për pagën neto gjithsej 66,5% më shumë krahasuar me periudhën kur në pushtet ishte LSDM-ja.

Sa u përket pensioneve, gjatë periudhës kur në pushtet ishte LSDM-ja, nga harmonizimi i pensioneve në tetor të vitit 2017 e deri te harmonizimi i marsit të vitit 2024, pensioni mesatar u rrit me diçka më pak se 7.000 denarë. Pra, për shtatë vjet qeverisje të LSDM-së, rritja ishte më pak se 7.000 denarë. Ndërsa për më pak se dy vjet të qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM-i, pensionet janë rritur me më shumë se 7.000 denarë. Tre herë e gjysmë më shumë, ky është dallimi. Këto janë shifra, zoti Venko Filipçe.

Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto, në periudhën nga 1 janari i vitit 2018 deri më 31 dhjetor të vitit 2023, ai është rritur me 3,69 miliardë dollarë. Ndërsa tani, me këtë qeveri, po i afrohemi vlerës prej 22 miliardë dollarësh, që do të thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 160 milionë dollarë më shumë në vetëm dy vjet, krahasuar me rritjen gjatë gjashtë viteve të qeverisë suaj. Edhe një herë vijmë te raporti tre me një”, theksoi Kryeministri Hristijan Mickoski, duke bërë krahasime të treguesve ekonomikë në Kuvend, në përgjigje të pyetjes së deputetit Venko Filipçe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit