Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes së tij në lajmet e Alsat, i pyetur se kur do të kthehet Artan Grubi në Maqedoni, theksoi se Ali Ahmeti ka komunikim të rregullt me Grubin dhe e këshilloi atë të kthehet në vend dhe të përballet me drejtësinë.
“Nuk e di kur do të kthehet Grubi, nga sa arrita të dëgjoj Mexhitin, ai tha se Ahmeti ka komunikim të rregullt me Grubin dhe ndoshta ai duhet të japë një përgjigje se kur do të kthehet. Unë do të doja që ai të kthehej sot, sepse mënyra e vetme për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve është të jetë i pranishëm këtu dhe të japë një përgjigje,” theksoi kryeministri Mickoski.
Sa i përket deklaratave të disa muajve më parë për një përpjekje për destabilizimin e vendit nga BDI-ja dhe pse tani nuk ka më deklarata të tilla, ai u përgjigj se një përpjekje për destabilizim nuk do të thotë se ajo do të ketë sukses, duke shtuar se vendi është më stabil se kurrë më parë.
“Një përpjekje për destabilizim nuk do të thotë se ata do të kenë sukses dhe se ne do të bëhemi një shtet jostabil. Siç mund të shihni, nëntë muaj jo vetëm që jemi një shtet stabil, por edhe në planin ndërkombëtar po arrijmë miqësi dhe aleanca të papara në Maqedoninë e pavarur,” theksoi Mickoski.
Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me BDI-në, kryeministri Mickoski theksoi se është i kënaqur me bashkëpunimin me koalicionin VLEN dhe se marrëdhëniet në koalicionin qeverisës janë kohezive dhe të forta, ndërsa synimi i koalicionit është një e ardhme më e mirë për qytetarët dhe shtetin.
“Kështu po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë,” përfundoi kryeministri Mickoski.