Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, bëri të ditur se shumica e dëmeve të shkaktuara nga stuhia e fuqishme që goditi Shkupin tashmë janë sanuar, ndërsa Komisioni për vlerësimin e dëmeve po vazhdon punën në terren.
Ai njoftoi se në Komunën e Çairit është formuar një komision i posaçëm për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve, ndërsa janë zhvilluar edhe takime koordinuese me kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe përfaqësuesit e komunave të tjera.
“Arritëm në një qëndrim të përbashkët që Qyteti i Shkupit dhe komunat t’u ndihmojnë qytetarëve në sanimin e dëmeve, ndërsa puna në terren po zhvillohet me intensitet. Bëhet fjalë për një stuhi të madhe që ka shkaktuar dëme në të gjithë Shkupin, por edhe në qytete të tjera të vendit. Mendoj se institucionet e kryen punën shumë mirë, reaguan shpejt dhe vështirësitë po tejkalohen”, deklaroi Mexhiti.
Duke folur për përmasat e dëmeve në Çair, ai theksoi se kjo komunë nuk është ndër më të goditurat nga stuhia.
“Nëse krahasohet me komunat e tjera të Shkupit, nuk mund të them se është komuna më e dëmtuar. Ka komuna shumë më të dëmtuara, si Karposhi, Qendra dhe Aerodromi. Po ashtu kemi formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve në Komunën e Çairit”, tha Mexhiti.
Sipas tij, institucionet lokale dhe ato të Qytetit të Shkupit do të vazhdojnë koordinimin për t’u ofruar mbështetje qytetarëve dhe për të përshpejtuar procesin e sanimit të pasojave të stuhisë.






