Mexhiti: Nga busti i Skënderbeut te lehtësimi i kufirit, 20 vite ndryshim në Qafë Thanë

Advertisement

 Izet Mexhiti, ka rikujtuar një ngjarje të para 20 viteve, kur në pikën kufitare të Qafë Thanës kishte këmbëngulur për të sjellë bustin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Shkup, ndërsa sot është rikthyer në të njëjtin vend për të përuruar sistemin e përbashkët kufitar “One Stop Shop” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Mexhiti tha se atëherë autoritetet nuk kishin dhënë leje për hyrjen e bustit në vend, por pas këmbënguljes ai u soll në Shkup dhe u vendos në sheshin që sot mban emrin e Skënderbeut.

Duke e cilësuar rikthimin në Qafë Thanë si një moment me domethënie të veçantë, Mexhiti theksoi se sot dy shtetet po bashkëpunojnë për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

Në ceremoninë e përurimit, së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe bashkëkryetarin e VLEN-it, Bilall Kasami, u prezantua sistemi që parasheh kryerjen e kontrolleve kufitare në një pikë të përbashkët, duke shmangur ndalesat e dyfishta.

Sipas Mexhitit, zbatimi i modelit nis në Qafë Thanë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe pikat kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.

Ai theksoi se me VLEN-in në qeverisje, pas modelit të zbatuar me Kosovën, ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me Shqipërinë.

Mexhiti e lidhi këtë zhvillim edhe me 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke vlerësuar se lehtësimi i kalimit kufitar në këtë datë ka një simbolikë të veçantë për shqiptarët në të dyja anët e kufirit.

“Për mua, kjo është mënyra më e mirë për ta shënuar këtë 22 Nëntor”, theksoi Mexhiti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit