Presidentja Siljanovska-Davkova uron 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit Shqip

Advertisement

 

Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë,

22 Nëntori është një datë, rëndësia e së cilës tejkalon simbolikën e një përvjetori historik. Ai është dëshmi e një vizioni kombëtar dhe e vetëdijes për identitetin e veçantë, themelet e të cilit mbështeten në alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një pikë kthese dhe një fazë të re në zhvillimin e kombit shqiptar, përmes arsimit dhe kulturës në gjuhën e njësuar shqipe.

Gjuha është shenja themelore e veçantisë kombëtare. Ajo është instrumenti më i fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive të një populli, trashëgimisë së tij shpirtërore dhe përvojës historike. Gjuha shqipe ju ka mundësuar juve, shqiptarëve, të shprehni respektin ndaj paraardhësve, por edhe përgjegjësinë ndaj pasardhësve.

Në shoqërinë multikulturore maqedonase dhe në sistemin demokratik politik, shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë një traditë të gjatë të pranisë në jetën kushtetuese, politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive, mediatike dhe shoqërore.

Më lejoni që, në cilësinë e Presidentes së shtetit, të shpreh qëndrimin se detyra jonë e përbashkët është të ndërtojmë një shoqëri në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë dallimet, por do t’i respektojë ato, duke i trajtuar si vlera të përhershme shoqërore.

Uroj që 22 Nëntori të mos jetë vetëm një ditë kujtimi, kremtimi dhe krenarie, por edhe një nxitje për arritje të reja në arsim, shkencë dhe kulturë në gjuhën shqipe!

Të gjithë qytetarëve shqiptarë u përcjell urimet e mia të sinqerta me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit