Rikonstruksioni i Çarshisë në Komunën e Çairit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe e punimeve tashmë ka përfunduar, njoftoi kreu i komunës, Izet Mexhiti.
“Premtuam ta rikthejmë shkëlqimin e Çarshisë. Sot, rezultati po shihet”, deklaroi Mexhiti.
Punimet janë zhvilluar në një sipërfaqe prej 1.567 metrash katrorë dhe kanë përfshirë ndërhyrje në infrastrukturën nëntokësore, si dhe rregullimin përfundimtar të hapësirës.
Në kuadër të projektit është rinovuar ujësjellësi, kanalizimi, rrjeti elektrik dhe infrastruktura për fibër optike. Gjithashtu, është restauruar kalldrëmi me gur travertin, është vendosur ndriçim i ri tradicional dhe janë rregulluar hapësirat për këmbësorë.
Investimi në këtë projekt kap vlerën e mbi 28 milionë denarëve.
Sipas Mexhitit, pas më shumë se 50 vitesh, Çarshia po merr një pamje të re, ndërsa në të njëjtën kohë po ruhet karakteri dhe identiteti i saj historik.






