Mexhiti: 6.2 milionë euro për Lumin e Thatë, për Sarajin

Advertisement

Shkup, 15 korrik – Ka nisur zbatimi i projektit për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit, një investim me vlerë prej 6.2 milionë eurosh që synon të rrisë sigurinë nga vërshimet dhe të mbrojë infrastrukturën, tokat bujqësore dhe banesat përgjatë lumit.

Lajmin e bëri të ditur bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili njoftoi se së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin Muhamet Hoxha dhe kryetarin e Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, morën pjesë në nisjen e punimeve.

Sipas Mexhitit, projekti përfshin rregullimin e shtratit të lumit në një gjatësi prej rreth 12 kilometrash, nga Bojana deri në Gllumovë, ndërsa punimet do të realizohen në disa faza dhe pritet të përfundojnë deri në vitin 2029.

Ai theksoi se realizimi i këtij projekti do të ofrojë mbrojtje më të madhe për qytetarët, shtëpitë, tokat bujqësore dhe infrastrukturën, duke adresuar një problem që, sipas tij, për vite me radhë kishte mbetur i pazgjidhur.

Mexhiti vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe atij qendror, duke theksuar se ky koordinim po sjell rezultate konkrete në terren.

“Qytetarët nuk kanë nevojë për premtime, por për rezultate”, u shpreh Mexhiti, duke e cilësuar projektin si pjesë të angazhimit të qeverisë për më shumë investime dhe zhvillim. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit