31.8 C
Skopje
Sunday, June 15, 2025

Mesazhet që la Kallas në Prishtinë, Beograd e Shkup: Momentumi politik për zgjerim është tani, shfrytëzojeni

Nga mbrëmja e 21 majit deri dje, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kalllas, qëndroi në tri vende të Ballkanit Perëndimor. Së pari e nisi vizitën në Beograd, erdhi në Prishtinë dhe në fund e la Shkupin. Mesazhi i saj ishte i qartë për të gjashtë vendet e rajonit që deklarojnë se aspirojnë anëtarësimin në bllokun europian: “Shfrytëzojeni momentumin aktual që kemi në zgjerim”.

“Po, ky proces ka vazhduar për mjaft kohë, por ka gjithmonë një momentum politik dhe ky momentum politik është pikërisht tani – Europa e bashkuar është një vizion për të cilin ne të gjithë duhet të punojmë”, tha Kallas në konferencën e saj për media në Beograd më 22 maj.

Vizita e shefes së diplomacisë së BE-së në Beograd ndodhi pas asaj që pati presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në Moskë.

Për këtë arsye, Kallas s’nguroi të përmendë dallimet që ka Serbia me BE-në.

“Siç pritej, pikëpamjet janë shumë divergjente, por ne patëm një shkëmbim të mirë për çështjet përfshirë pranimin e Serbisë në BE, reformat e brendshme dhe dialogun e vazhdueshëm me Prishtinën”, tha ajo derisa komentoi edhe vizitën e Vuçiqit në Moskë.

“Unë me të vërtetë nuk e kuptoj pse është e nevojshme të qëndrojmë krah për krah me personin që po zhvillon këtë luftë të tmerrshme në Ukrainë”.

Kallas i përmendi Serbisë edhe detyrat që nëse e dëshiron anëtarësimin në BE.

“Reformat janë mënyra se si Serbia do të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së. Nuk ka rrugë të shkurta për anëtarësim. Këtu në Beograd duhet të bëhet përparim i vërtetë dhe hapat e ardhshëm janë shumë të qartë. Ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit, reformat zgjedhore”.

Përfaqësuesja e Lartë njoftoi se në takimet e saj me krerët serbë ka biseduar “edhe për marrëdhëniet e Serbisë me fqinjin e saj më të afërt”, ndërsa paralajmëroi lëvizje në procesin e ngecur të dialogut Kosovë-Serbi.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk është vetëm përmirësim i marrëdhënieve. Është thelbësore për të ardhmen europiane të Serbisë. Është koha për të kapërcyer të kaluarën dhe për t’u fokusuar në të ardhmen e përbashkët. Kam në plan të ftoj përfaqësuesit nga Beogradi dhe Prishtina në Bruksel sa më shpejt të jetë e mundur për të diskutuar hapat konkretë përpara”.

Kallas tha se presidentit serb ia ka theksuar edhe rëndësinë e stabilitetit në Bosnjë e Hercegovinë.

“Unë po ashtu adresova situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. I theksova Presidentit Vuçiq dhe liderëve të tjerë rëndësinë e lidershipit dhe rolit konstruktiv të Serbisë në mbështetjen e stabilitetit të vendit”.

“Nga kjo varet e ardhmja e rajonit”, tha Kallas në Beograd.

Në pjesën e dytë të ditës, në Prishtinë Kallas ritheksoi se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Bashkimin Europian.

“Zgjerimi i BE-së në këtë rajon është projekti ynë më i rëndësishëm gjeopolitik dhe është gjithashtu një prioritet personal për mua”, tha diplomatja estoneze.

Një fjali që s’mund ta thoshte në Beograd, Kallas e tha në Prishtinë.

“Është mirë që anëtarësimi në BE mbështetet nga shumica e njerëzve në Kosovë dhe në një spektër të gjerë politik”, tha ajo, duke shtuar se Kosova i përket familjes europiane, por edhe këtu e përsëriti se nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësim në BE.

“Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit