Mërgimtarët kanë nisur gradualisht rrugën e kthimit drejt vendeve të Perëndimit, pas përfundimit të pushimeve verore në vendlindje.
Në vendkalimin kufitar Tabanoc, gjatë këtyre ditëve vërehen shumë automjete me targa të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe Belgjikës. Mërgimtarët thonë se koha e kaluar në vendlindje nuk është asnjëherë e mjaftueshme për të qëndruar me familjarët, ndërsa theksojnë se më së shumti kënaqen fëmijët.
“Deri këtu mirë. Në vendlindje njeriu gjithmonë kënaqet më shumë me familjen. Bile, ende nuk kanë ardhur në vete fëmijët. Kemi qëndruar katër javë. Nuk mjaftojnë asnjëherë për një gurbetçi, por gjërat janë të limituara, çfarë të bëjmë. Mendojmë gjithmonë të kthehemi në Kosovë, por çfarë na pret e ardhmja nuk mund ta përcaktojmë ende”, u shpreh një mërgimtar.
Një tjetër mërgimtar tha se kishte qëndruar rreth 20 ditë në vendlindje.
“S’mjaftojnë, por kënaqemi me kaq. Fëmijët kënaqen më shumë, për ta jemi kthyer. Për momentin nuk mendojmë ta lëmë Gjermaninë dhe të kthehemi, është vështirë këtej. Për këta fëmijë kemi ardhur”, tha ai.
Një mërgimtar tjetër u shpreh se mezi pret të rikthehet përsëri në vendlindje.
“Shëndoshë, nëse është kismet, sa më shpejt të vijmë. Atje është më mirë? Jo, të them të drejtën, më mirë është në shtëpi. Shtëpia është shtëpi, por çfarë të bëjmë”, tha ai.
Ndërkohë, këtë vit mërgimtarët janë përballur edhe me një sistem të ri për pagesën e gjobave në vendkalimin kufitar Tabanoc. Personat që kanë kryer shkelje në komunikacion dhe janë evidentuar nga sistemi “Safe City”, gjobat duhet t’i paguajnë në kufi.
Në ditët e para të zbatimit, sistemi shkaktoi pritje dhe tollovi në sportele, ndërsa dy ditë më vonë Ministria e Punëve të Brendshme vuri në dispozicion edhe një aplikacion online për pagesën e gjobave, duke e lehtësuar procedurën.
Sipas të dhënave të publikuara, nga shkurti deri më 20 gusht, sistemi “Safe City” ka evidentuar rreth 301 mijë shkelje për tejkalim të shpejtësisë, prej të cilave 58 për qind janë kryer nga shtetas të huaj.






