Elezi: Në shtator 59 punësime të reja, synojmë që Spitali i Tetovës të bëhet Klinikë Universitare

Advertisement

Pas 145 vendimeve për punësimin e punonjësve shëndetësorë, të ndara ditë më parë, Spitali Klinik i Tetovës paralajmëron edhe një valë të re punësimesh.

Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, ka bërë të ditur se gjatë muajit shtator pritet të realizohen edhe 59 punësime të reja, me qëllim forcimin e ekipeve profesionale dhe rritjen e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve ndaj pacientëve.

Sipas Elezit, ndryshimet nuk do të kufizohen vetëm te shtimi i stafit. Për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së Spitalit Klinik të Tetovës janë paraparë 74 milionë euro.

Investimet përfshijnë hapjen e Qendrës për Autizëm, shërbimit të kirurgjisë torakale, objektit të ri të Gjinekologjisë dhe Mjekësisë Ligjore, si dhe pesë reparteve të reja.

Paralelisht, është planifikuar edhe rikonstruksioni i bllokut kirurgjik dhe atij internistik.

“Këto nuk janë vetëm investime në objekte dhe pajisje. Janë investime për shëndetin e pacientëve tanë”, ka theksuar Elezi.

Sipas tij, me shtimin e stafit, hapjen e shërbimeve të reja dhe modernizimin e infrastrukturës, synohet që Spitali Klinik i Tetovës të shndërrohet në Klinikë Universitare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit