Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, njoftoi se projekti i interkoneksionit 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po realizohet sipas planit dhe ka hyrë në një fazë kyçe të zbatimit.
Gjatë një inspektimi në terren me ekipin e MEPSO-s, Latifi bëri të ditur se ndërtimi i nënstacionit 400 kV në Ohër ka hyrë në fazën përfundimtare. Sipas tij, pas instalimit të pajisjeve primare dhe sekondare, tashmë kanë nisur testimet operative dhe funksionale, të cilat janë hapi i fundit para vënies në funksion të nënstacionit.
Ai theksoi se paralelisht po avancojnë edhe punimet në linjën e transmisionit 400 kV Manastir–Elbasan, ku tashmë ka nisur montimi i shtyllave të para, ndërsa aktivitetet po vazhdojnë edhe në pjesët e tjera të traseut.



Sipas Latifit, përfundimi i këtij projekti strategjik do të forcojë lidhjen energjetike mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do të rrisë sigurinë e rrjetit të transmisionit, kapacitetet ndërkufitare dhe integrimin e tregut rajonal të energjisë./Ora24.tv






