STRUGË – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi një takim me të rinjtë e qytetit, ku u diskutuan ide dhe iniciativa për një Strugë më të zhvilluar, më të pastër dhe më miqësore për gjeneratat e reja.
Gjatë takimit, të rinjtë paraqitën propozimet e tyre lidhur me sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e jetës në qytet, ndërsa një nga temat kryesore ishte mbrojtja e Burimeve të Shumit, një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të Strugës.
Qyra theksoi se përfshirja e të rinjve në proceset vendimmarrëse është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës, duke vlerësuar kontributin dhe idetë e tyre për të ardhmen e qytetit.
Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe dialogu, me synimin që zëri i të rinjve të dëgjohet më shumë në projektet dhe politikat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe në ruajtjen e mjedisit.





