Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka ngritur alarmin për gjendjen e deponisë në qytet, duke e cilësuar atë si “kancerin e Strugës” dhe një nga problemet më serioze mjedisore me të cilat përballen qytetarët.
Sipas Qyrës, për vite me radhë politikat e papërgjegjshme e kanë lënë të pazgjidhur këtë problem, ndërsa pasojat i ndjejnë qytetarët çdo ditë përmes ndotjes së ajrit, rreziqeve për shëndetin dhe dëmtimit të imazhit të qytetit.
“Deponia është kanceri i Strugës. Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se kjo sfidë kërkon veprim urgjent”, theksoi ai.
Qyra nënvizoi se zgjidhja e problemit kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe se askush nuk mund ta zgjidhë i vetëm këtë sfidë, por premtoi se do të japë maksimumin e tij për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe sipas standardeve evropiane për menaxhimin e mbeturinave.
Ai shprehu mirënjohje për ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe ambasadoren e Gjermanisë për mbështetjen dhe vëmendjen ndaj shqetësimeve të qytetarëve të Strugës, si dhe për përkushtimin në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate.
Këto komente Qyra i bëri në kuadër të debatit publik “Nga një deponi e egër drejt një zgjidhjeje evropiane – zgjidhje për Strugën”, organizuar nga shoqata “Akva”, iniciativë që ai e përshëndeti si një hap të rëndësishëm drejt adresimit të një prej sfidave më të mëdha mjedisore në qytet.











