Mediat bullgare: Po bëhen përpjekje për heqjen e referencave ndaj Protokollit të Dytë nga rezoluta për Maqedoninë e Veriut

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Mediat në Bullgari raportojnë sot se në prag të votimit përfundimtar në Parlamentin Evropian po zhvillohen përpjekje për ndryshimin e përmbajtjes së rezolutës për Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në pjesën që lidhet me Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë mes Shkupit dhe Sofjes, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas analizës së publikuar nga agjencia bullgare BGNES, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, ka paraqitur amendament me të cilin kërkohet fshirja e plotë e paragrafit 73 nga raporti që tashmë është miratuar në Komisionin për Punë të Jashtme (AFET).

Mediat bullgare vlerësojnë se ky paragraf ka rëndësi të veçantë pasi përmend drejtpërdrejt Protokollin e Dytë dhe kërkon që Komisioni i Përbashkët Historik mes dy vendeve të arrijë rezultate konkrete, duke u bazuar në dokumente dhe burime historike të verifikuara.

Sipas BGNES, pas kësaj nisme qëndron përpjekja për të zbutur formulimet që lidhen me obligimet e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian. Në analizë theksohet se Protokolli i Dytë është pjesë e dokumenteve që lidhen me procesin negociues dhe se zbatimi i tij konsiderohet detyrim për Shkupin.

Artikulli gjithashtu rikujton se një amendament i mëhershëm i Tomas Vajcit, i cili vinte në pikëpyetje statusin juridik të Protokollit të Dytë, nuk mori mbështetjen e nevojshme në AFET.

Sipas mediave bullgare, beteja politike tani zhvendoset në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ku më 17 qershor eurodeputetët do të votojnë për versionin përfundimtar të raportit për Maqedoninë e Veriut.

Në analizë shprehet qëndrimi se eurodeputetët bullgarë duhet të angazhohen për të ruajtur referencat ndaj Protokollit të Dytë në tekstin final të rezolutës, duke e konsideruar atë një element të rëndësishëm të marrëdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit në kuadër të procesit eurointegrues.

përcjell Zhurnal.mk .

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit