Një rrëfim i dhimbshëm nga historia e Kosovës do të marrë jetë në skenën e Hollywood-it. Më 18 shtator, në orën 20:00, “Mbretëreshat pa Kurorë” do të prezantohet në Stella Adler Theatre, duke sjellë përpara publikut historitë e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Për këtë ngjarje dhe rëndësinë e saj, regjisorja Marigona Bekteshi Ferati ka folur për KultPlus.
Vepra është e lindur nga rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe, sipas regjisores, synon ta sjellë kujtesën e tyre përtej kufijve, përmes artit dhe teatrit.
“Unë zgjodha që këtë krijim t’ua kushtoj viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kujtimit të tyre, dhimbjes së tyre dhe forcës së tyre. Hollywood do t’i dëgjojë”, ka thënë Bekteshi Ferati për KultPlus.
Ajo e sheh këtë prezantim si një mundësi për ta çuar historinë e Kosovës në një skenë ndërkombëtare dhe për t’i dhënë zë përvojave të grave që kanë përjetuar dhunën e luftës.
“‘Mbretëreshat pa Kurorë’ sjell kujtesën e Kosovës përtej kufijve dhe e shndërron historinë në art, zë dhe dëshmi. Kjo nuk është vetëm një histori për Kosovën. Është një histori për mbijetesën, kujtesën dhe forcën e grave që refuzuan të heshtin”, është shprehur regjisorja.
Për regjisoren, prezantimi në Stella Adler Theatre përbën një moment të veçantë artistik. Ajo thekson trashëgiminë e kësaj hapësire skenike dhe lidhjen e saj me emra të njohur të artit dhe kinematografisë.
“Është nder i jashtëzakonshëm që kjo vepër prezantohet në Stella Adler Theatre. Nga një vend i vogël në hartë, në një skenë që e njeh bota. Arti nuk njeh kufij. Të premten, zëri i Kosovës i drejtohet botës”, ka deklaruar ajo.
Regjisorja ka shprehur mirënjohje edhe për institucionet që kanë mbështetur këtë udhëtim, ndër to Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Komunën e Mitrovicës dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, D.C.
Në realizimin e veprës kanë kontribuar edhe Esat Shala, Halil dhe Merita Budakova, ndërsa Albana Muja është dramaturge, Mirsad Ferati asistent i shfaqjes dhe Korab Shaqiri ka kompozuar muzikën.
Premiera e “Mbretëreshat pa Kurorë” në Hollywood synon ta vendosë kujtesën e viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në një hapësirë të rëndësishme ndërkombëtare të artit skenik./KultPlus.com






