Situata me zjarret në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë alarmante. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, bëri të ditur se vetëm gjatë ditës së djeshme zjarrfikësit dhe shërbimet e tjera kompetente u përballën me më shumë se 41 zjarre.
Sipas Angelovit, reshjet e lehta të shiut në disa zona të vendit kanë ndihmuar vetëm pjesërisht në lehtësimin e situatës dhe punën e ekipeve në terren.
Ai bëri të ditur se zjarri që shpërtheu disa ditë më parë në territorin e Shtipit, mes fshatrave Selcë dhe Puhcë, pasditen e djeshme doli jashtë kontrollit dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta.
“Menjëherë dolëm në terren dhe urdhëruam angazhimin e forcave shtesë. Me përpjekje të mëdha, zjarrfikësit arritën ta vinin zjarrin nën kontroll në orët e mbrëmjes, ndërsa ekipet vazhduan të punonin përgjatë vijës së zjarrit gjatë gjithë natës”, tha Angelov.
Sot në mëngjes, zjarri është nën kontroll të plotë, por në disa zona janë shfaqur përsëri vatra të nxehta. Zjarrfikësit e Shtipit, të mbështetur nga ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, po punojnë për shuarjen e tyre.
Angelov paralajmëroi se ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë ditës, pasi rritja e temperaturave dhe forcimi i erës gjatë pasdites mund të shkaktojnë përsëri probleme dhe përhapje të zjarreve.






