Mbeturina të grumbulluara në Kumanovë, ndërmarrja publike thotë se sasia është rritur gjatë sezonit veror

Advertisement

Disa nga rrugët dhe hapësirat publike në Kumanovë përballen me grumbullim të mbeturinave gjatë ditëve të nxehta të verës. Temperaturat në qytet arrijnë rreth 40 gradë Celsius, ndërsa qytetarët kanë raportuar për kontejnerë të tejmbushur në disa lokacione.

Sipas banorëve, problem me mbeturinat ka edhe në disa rrugë dhe rrugica të qytetit. Ata shprehen të shqetësuar për gjendjen higjienike, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.

Ndërkohë, nga muaji korrik, faturat për mbledhjen e mbeturinave në Kumanovë janë rritur me 30 për qind. Vendimi i Këshillit të Komunës ka shkaktuar reagime te një pjesë e qytetarëve, të cilët thonë se, përveç rritjes së çmimit, në muajt e fundit kanë vërejtur edhe vonesa në mbledhjen e mbeturinave.

Nga Ndërmarrja Publike “Pastrimi dhe Gjelbërimi” në Kumanovë thonë se gjatë sezonit veror është rritur numri i qytetarëve që qëndrojnë në qytet, përfshirë mërgimtarët që kthehen gjatë pushimeve, duke sjellë edhe rritje të sasisë së mbeturinave.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ndërmarrjes, Sasho Tomiq, thotë se të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion.

“Në këtë periudhë, në 30 ditët e fundit, ka numër të shtuar të bashkëqytetarëve tanë, të cilët përkohësisht punojnë në vendet perëndimore. Për këtë arsye është rritur frekuentimi në Kumanovë dhe në vendbanimet përreth, ndërsa njëkohësisht është rritur edhe sasia e mbeturinave. Nëse zakonisht kemi mbledhur rreth 60 tonë mbeturina në ditë, tani mbledhim 70 deri në 80 tonë në ditë”, tha Tomiq.

Nga ndërmarrja publike theksojnë se përballen edhe me probleme të tjera, përfshirë numrin e kufizuar dhe vjetërsinë e kamionëve për mbledhjen e mbeturinave, si dhe mungesën e punëtorëve.

Tomiq thotë se ndërmarrja është përballur edhe me detyrime financiare. Sipas tij, gjatë tetë muajve të fundit janë paguar rreth 20 milionë denarë ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ndërsa ka edhe detyrime ndaj kompanive për pjesë rezervë dhe ndaj punonjësve.

Sipas të dhënave të ndërmarrjes, rreth 80 për qind e faturave paguhen rregullisht nga qytetarët. Nga “Pastrimi dhe Gjelbërimi” u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i shlyejnë detyrimet në kohë, ndërsa ofrojnë edhe mundësi për pagesë me këste, me qëllim shmangien e shpenzimeve shtesë për procedura noteriale dhe përmbarimore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit