Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Komuna e Mitrovicës së Jugut kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e dokumentacionit projektues për ndërtimin e objekteve të reja të Gjimnazit “Frang Bardhi” dhe Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko”.
Memorandumi u nënshkrua nga ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Sipas njoftimit, qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një kornize bashkëpunimi institucional ndërmjet ministrisë dhe komunës për përgatitjen e projektit ideor dhe projektit të hollësishëm për dy institucionet arsimore, si dhe koordinimin e veprimeve teknike, administrative dhe institucionale të nevojshme për realizimin e tyre.
Ndërtimi i objekteve të reja për Gjimnazin “Frang Bardhi” dhe Shkollën e Muzikës “Tefta Tashko” pritet të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Mitrovicën e Jugut.
Autoritetet theksuan se ky projekt synon gjithashtu ngritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e hapësirave më moderne për nxënësit dhe stafin arsimor në komunë./KultPlus.com





