Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vendimeve të drejtësisë.
Përmes një postimi në platformën X, Kos tha se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur i drejtësisë dhe rikujtoi se të dënuarit kanë të drejtë apelimi.
“Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë apelimi”, shkroi ajo.
Reagimi i komisioneres evropiane erdhi pas shpalljes fajtorë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte.
Kos u bëri thirrje aktorëve politikë në rajon që të kontribuojnë në pajtim dhe në tejkalimin e së kaluarës së konfliktit.
Sipas saj, pajtimi është i rëndësishëm për kapërcimin e ndasive në Ballkanin Perëndimor dhe për avancimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian.






