Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili ka pretenduar se dy vende të rajonit kanë planifikuar një sulm hibrid ndaj Malit të Zi.
Media malazeze “Vijesti” ka raportuar se, sipas burimeve të saj, dy vendet e përmendura janë Shqipëria dhe Serbia.
Majko i ka cilësuar deklaratat si shqetësuese dhe ka kërkuar sqarime nga autoritetet malazeze.
Ai thekson se Shqipëria nuk ka afërsi gjeopolitike me Serbinë dhe se, nëse pretendimet për një aktivitet të koordinuar janë të bazuara në fakte, ato duhet të shoqërohen me hapa zyrtarë dhe jo vetëm me deklarata në rrjetet sociale.
“Deklarime të tilla janë të çuditshme nëse ato nuk shoqërohen me ‘nota diplomatike’ apo edhe në aplikimin zyrtar të tyre në strukturat e Aleancës së NATO-s”, shkruan Majko.
Sipas tij, Mali i Zi duhet të sqarojë nëse bëhet fjalë për një çështje serioze që prek marrëdhëniet mes vendeve anëtare të NATO-s apo për deklarata të pambështetura në prova.
“Zgjedhja i takon të bëhet nga strukturat shtetërore të Malit të Zi, ku Milojko Spajiç është kryeministër”, përfundon Majko.






