Aleanca për Shqiptarët po përgatitet për Kongresin e radhës, i cili pritet të mbahet gjatë muajit tetor, ndërsa si mundësi është përmendur edhe nëntori. Kryetari i Këshillit organizativ të Kongresit dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka thënë se aktualisht fokusi kryesor i partisë është organizimi i Kongresit.
Duke folur në emisionin “Podium” në Ora24.tv , Limani tha se pas Kongresit mund të ketë kontakte me aktorë të ndryshëm politikë, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkimit të strukturave dhe individëve që kanë qenë pjesë e ASH-së ndër vite.
“Ne si Aleancë për Shqiptarët jemi të koncentruar në organizimin e Kongresit që do të mbahet së shpejti dhe ky është qëllimi ynë tani. Pas Kongresit gjithsesi mund të ketë kontakte me të gjithë aktorët politikë”, deklaroi Limani.
Ai tha se Kongresi duhet të shërbejë si pikënisje për një proces të ri brenda partisë dhe për rikthimin e personave që kanë qenë pjesë e ASH-së, por që aktualisht nuk janë aktivë.
Sipas Limanit, Aleanca për Shqiptarët aktualisht nuk po kalon periudhën e saj më të mirë, ndaj problemet e brendshme duhet të analizohen dhe të trajtohen përmes një strategjie të qartë.
“Kongresi do të jetë një moment shumë i rëndësishëm për definimin e qartë të orientimit politik të partisë dhe për caktimin e një rruge të qartë afatmesme dhe një strategjie afatgjate në zhvillimin dhe forcimin e ASH-së”, tha ai.
Limani vlerësoi se ndarjet e shumta ndër vite e bëjnë të nevojshme një strategji më serioze për bashkimin dhe veprimin e përbashkët të anëtarëve dhe strukturave të partisë.
Ai shtoi se ASH-ja ka krijuar ndër vite kuadro dhe potencial njerëzor, të cilin, sipas tij, partia duhet ta shfrytëzojë për t’u rikthyer si subjekt politik konkurrues dhe faktor serioz në skenën politike në Maqedoninë e Veriut.
Data përfundimtare e Kongresit pritet të bëhet e ditur së shpejti, ndërsa takimi pritet të përcaktojë orientimin politik dhe prioritetet e ASH-së për periudhën e ardhshme.






