Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot në Ohër do të jetë nikoqire e takimit të liderëve të Procesit Bërdo-Brioni, bashkëorganizatorë të të cilit janë presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, përcjell TV21. Në takimin rajonal do të marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryesuesja dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Darijana Filipoviq, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Sipas agjendës, takimi do të mbahet menjëherë pas pritjes zyrtare të liderëve dhe pritet të zgjasë rreth një orë e gjysmë.
Pas përfundimit të takimit është paraparë një konferencë e përbashkët për media e presidentes Siljanovska-Davkova me presidenten Pirc-Musar dhe presidentin Millanoviq.
Gjatë qëndrimit në Ohër, Siljanovska-Davkova do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryesuesen dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Cvijanoviq, Beqiroviq dhe Filipoviq, me presidenten e Kosovës, Shiroka-Pula, si dhe me ushtruesin e detyrës së presidentit të Serbisë, Çupiq.
Procesi Bërdo-Brioni është një iniciativë rajonale e themeluar në vitin 2013 nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit.
Përveç Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë dhe Kroacisë, pjesë e këtij procesi janë edhe Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.








