Kasami për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë: Jemi me VETËVENDOSJEN, sepse VETËVENDOSJA është me VLEN-in

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami në fjalën e tij gjatë takimit me presidenten në detyrë të Kosovës, Albulena Haxhiu e cila sot qëndroi për vizitë në Tetovë ka thënë se lidhja me Kosovën nuk është vetëm politike apo kombëtare, por është lidhje gjaku, historie, sakrifice dhe shprese.

“Siç u tha me të drejtë edhe pak më parë: kur Kosovës i dhemb gishti, Tetovës i ther zemra. Kjo nuk është vetëm figurë letrare. Është realiteti që e kemi jetuar për dekada. Ne jemi brezi që kufijtë na kanë ndarë fizikisht, por kurrë shpirtërisht. Dhe sot jemi brezi që po punon që shqiptarët, kudo që jetojnë, të jenë më të bashkuar, më të zhvilluar dhe më të përfaqësuar se kurrë më pare”, ka thënë Kasami.

Pikërisht për këtë, ka shtuar ai, bashkëpunimi mes VLEN-it dhe VETËVENDOSJES është bashkim vlerash, bashkim i njerëzve që besojnë se politika duhet t’i shërbejë qytetarit, jo interesave të ngushta.

“Është bashkim i atyre që besojnë se korrupsioni nuk mund të jetë mënyrë qeverisjeje dhe se shteti duhet t’u takojë qytetarëve”, ka thënë ai.

Në Kosovë, VETËVENDOSJA shtoi ai, ka dëshmuar se mund të qeverisë me integritet, me transparencë dhe me rezultate, ka dëshmuar se shteti mund të jetë në shërbim të qytetarit.

“Edhe ne këtu, në Maqedoninë e Veriut, kemi nisur një kapitull të ri. Për herë të parë pas shumë vitesh, po zgjidhim çështje që nuk ishin prekur me dekada. Shqiptarët sot po e jetojnë ndryshimin që e pritëm me dekada, dhe këtë ndryshim do ta thellojmë çdo ditë”, ka shtuar Kasami.

Sipas tij zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë janë zgjedhje mes politikës të së kaluarës dhe politikës të së ardhmes, mes atyre që e shohin pushtetin si privilegj dhe atyre që e shohin si përgjegjësi.

“Jemi me VETËVENDOSJEN, sepse VETËVENDOSJA është me VLEN-in. Ju uroj sukses dhe fitore të madhe më 7 qershor”, ka thënë Kasami.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit