Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancën konstituive të Legjislaturës së XI-të, gjatë së cilës deputetët e zgjedhur bënë betimin e tyre.
Seanca u drejtua nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i asistuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi. Të pranishëm ishin edhe ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë.
Në fillim të punimeve u formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, me nga një përfaqësues të propozuar nga secili subjekt parlamentar. Pas shqyrtimit të raportit të komisionit, Kuvendi e miratoi atë, duke hapur rrugën për betimin e deputetëve.
Gjatë pikës së rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryeministri në detyrë dhe deputeti Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e konsultimeve me partitë parlamentare lidhur me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas tij, synimi është që përmes dialogut të arrihet një konsensus sa më i gjerë politik, me qëllim shmangien e një bllokade institucionale dhe zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Pas kërkesës, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se, meqenëse nuk ishte paraqitur një propozim për kryetar të Kuvendit nga subjekti më i madh parlamentar, seanca u ndërpre, ndërsa vazhdimi i saj do të caktohet në një datë të mëvonshme.






