Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi sot, me 88 vota pro dhe pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës në sektorin e naftës dhe derivateve të naftës deri më 20 tetor.
Sipas Qeverisë, masa do të hyjë në fuqi më 21 korrik dhe ka për qëllim të sigurojë reagim të shpejtë institucional në rast të çrregullimeve në furnizim ose luhatjeve të mëdha të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Autoritetet vlerësojnë se ky mekanizëm do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit të tregut, mbrojtjen e qytetarëve dhe mbështetjen e ekonomisë.
Seanca u shoqërua me debat procedural para votimit. Deputetët e partive shqiptare kërkuan që vendimi për gjendjen e krizës të shqyrtohej në një seancë të veçantë, duke akuzuar shumicën parlamentare se po përpiqej të fuste në rend dite edhe projektligje të tjera, përfshirë ato që lidhen me arsimin e lartë.
Pas koordinimit ndërmjet grupeve parlamentare, u arrit një marrëveshje që projektligjet për arsimin e lartë të mos përfshiheshin në seancën e sotme, duke i hapur rrugë miratimit të vendimit për vazhdimin e gjendjes së krizës.





