Kuvendi hapi konkurs për format të ri të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Anëtarëve aktual u ka përfunduar mandati, ndërsa të njëjtit sipas kushteve të parapara në konkurs nuk kanë të drejtën e rizgjedhjes.
“Sipas Kushteve, personat që në cilin do mandat kanë kryer funksionin e kryetarit apo anëtarit të KSHPK-së, pavarësisht kohëzgjatjes së mandatit, nuk mund të zgjidhen përsëri për kryetar ose anëtarë të këtij komisionit”, thuhet në konkursin për kryetar dhe anëtarë të KSHPK-së.
Kuvendi me shpalljen e konkursit ka publikuar edhe thirrjen ndaj Shoqatave të Gazetarëve që të marrin pjesë aktive në intervistimin e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Por me çfarë u përballua formati në largim i komisionit. Udhëheqja aktuale ishte e pafuqishme për t’i çuar deri në fund qindra procedura, kjo për shkak të pengesave ligjore dhe neglizhencës nga ana e institucioneve ligj zbatuese. Më eklatant ishte rasti i kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, gjë që çoi në prishje komunikimi dhe bashkëpunimi mes Prokurorisë Publike dhe Anti-korrupsionit. Ndonëse ndaj Merkos kishte shumë iniciativa, Prokuroria Publike kishte heshtur sipas anti-korrupsionit dhe nuk kishte proceduar në kohë me qëllim vërtetimin e përgjegjësive penale ndaj Merkos. Rasti u aktualizua vetëm pasi Merko përfundoi në listën e zezë amerikane. Njëjtë përfundoi edhe iniciativa deri në Prokurori për financimin e paligjshëm të BDI-së nga kompani të cilat janë donatore të subjektit. Edhe pse financimi është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore për financimin e partive politike, Prokuroria Publike nuk gjeti bazë për ndjekje penale ndaj partisë, ndërsa Anti-korrupsioni u gjet duarkryq për të proceduar më tej për shkak të kufizimeve në kompetencat ligjore. Ky trup disa herë kishte nisur nisma për funksionar të Qeverisë të cilët kanë keqpërdorur zyrat shtetërore dhe veturat zyrtare për çështje private, por Zëvendëskryeministrja e mandatuar për Qeverisje të mirë dhe luftë kundër korrupsionit nuk kishte vlerësuar bazë për asnjë nga nismat. Në vitin 2020 Anti-korrupsioni kishte iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj 12 deputetëve të Kuvendit për fshehje të pasurisë, ndërsa kishte kërkuar edhe ndryshime ligjore për abrogimin e apanazhit për shkak të dyshime për shpërdorim të këtij mekanizimi pas mandatit. /Alsat.mk